Site icon Telegrafi

Urologu Veselaj: Suspendimi im ka lidhje me mbledhjen e Senatit, jam kandidat për profesor (Video)

Para pak ditësh drejtori i Shërbimit Spitalor Klinim Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Sejdiu, pas një inspektimi që kishte bërë, kishte marrë vendim për suspendimin e urologut Fahredin Veselaj, me arsyetimin se nuk ishte gjetur në vendin e punës.

Ndonëse suspendimi i Urologut Fahredin Veselaj ishte me arsyetimin se nuk ishte në vendin e punës, ky i fundit dyshon se ky aksion është ndërmarrë për të prishur imazhin e tij, pasi që këtë javë Senati i Universitetit do të mbajë mbledhjen, ku Veselaj tha se është i propozuar për avancim në profesion.

“Këtë javë mbahet mbledhja e senatit të Universitetit të Prishtinës, ku unë jam njëri prej kandidatëve të propozuar për profesorë dhe kam recensionet ndërkombëtare, por dikujt kjo i pengon dhe kanë për qëllim dëmtimin e imazhit tim”, deklaroi për RTV Dukagjinin urologu Fahredin Veselaj.

Ai gjithashtu tha se pikërisht në atë ditë kur ishte ndërmarrë aksioni i inspektimit, kishte kryer 3 operime. Ndër to duke ndërhyrë edhe tek një 22 vjeçar i cili ishte therur me thikë.

“Nuk e di a rastësisht apo me planifikim, drejtori ka angazhuar inspektoratin shëndetësor pas orarit të punës për të inspektuar spitalin privat mos unë jam duke punuar aty. Pas asaj kohe unë kam vazhduar kujdestarinë, dhe një rast i rëndë ka qenë therja me thikë e një të riu, që është trajtuar dhe përcjellë nga ekipa e jonë”, tha Veselaj.

E drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu për rastin në fjalë tha se mungesa e një mjeku në kujdestari nuk ka arsyetim.

“Mjeku në fjalë nuk ka qenë në punë për një kohë të gjatë, dhe i njëjti është konstatuar se gjendet në spitalin privat”, tha Sejdiu.

Mirëpo, urologu Veselaj tregoi se përkundër që i kishte shkruar e-mail drejtorit të SHSKUK-së, duke e sqaruar situatën, ai nuk i ishte përgjigjur.

E lajmin për suspendim Fahredin Veselaj tha se e ka kuptuar përmes mediave.

Kohët e fundit janë suspenduar disa mjekë, pas aksioneve të ndërmarra nga inspektorati i shëndetësisë./Telegrafi/

Exit mobile version