Telegrafi

Urimi i Presidentit Thaçi për Vitin e Ri 2017: Viti 2016 ishte vit i kalitjes! (Video)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se viti që po lëmë pas ishte vit i hapjes së mundësive të reja për qytetarët tanë, por edhe i kalitjes me sfidat e shtetit dhe shoqërisë për të ardhmen tonë evropiane.

“Është kënaqësi t’ju drejtohem në natën e fundit të vitit me urimet më të përzemërta për ju dhe familjet tuaja.

Viti që po lëmë pas ishte vit i hapjes së mundësive të reja për qytetarët tanë, por edhe i kalitjes me sfidat e shtetit dhe shoqërisë për të ardhmen tonë evropiane.

Sonte derisa festojmë dhe urojmë njëri-tjetrin, kujtojmë edhe ata që janë në vendet e tyre të punës: policët, zjarrfikësit, mjekët, punëtorët, që kujdesen për ne të festojmë në rehati dhe qetësi.

Ata janë heronjtë e sotëm, sepse me shembullin e tyre tregojnë atë për çfarë shteti ynë ka nevojë më së shumti, që secili të kryejë punën e vet me nder e përgjegjësi.

Urime të veçanta edhe ushtarëve të FSK-së dhe diplomatëve tanë që sonte festojnë larg familjeve të tyre.

Duke u zotuar se do të punojmë edhe më shumë, se do ta duam edhe më shumë shtetin tonë, le të urojmë njëri-tjetrin me dëshirat më të mira për vitin 2017.

Gëzuar!”, ka thënë Thaçi.