Kam dëshirë që në prag të festave të fundvitit, t’u drejtohem publikisht për Krishtlindje të gjithë të krishterëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës për Vitin e Ri 2016 me urimin: Sjellshin këto festa mirësi, mirëqenie, mirëkuptim, optimizëm, bashkëpunim e zemër të gëzuar në çdo familje e te çdo qytetar i vendit tonë!
Por, realizimi i urimit për mbarë qytetarët në shtetin e Kosovës, kushtëzohet nga raportet mes forcave politike në institucionet shtetërore dhe rolin e tyre me veprime brenda dhe jashtë institucioneve për funksionimin normal të shtetit. Ndaj dëshiroj të veçoj urimin tim për politikën: Shënoftë një sinjal e mesazh domethënës për qetësimin, normalizimin e bashkëpunimin dialogues e mirëkuptues në Kuvend në funksion të konsolidimit, stabilitetit e prosperitetit të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës! E di që dëshirat dhe urimi im për politikën aktuale në prag të festave të fundvitit janë vështirë të realizueshme. Aktualisht, liderët kryesorë partiakë janë të vendosur në pozicione thuajse të papajtueshme, në deklarime publike dhe në veprime anti dhe pro ligjore.
Secili e përligj në mënyrën dhe me argumentet e veta pozicionimin, që mbetet përherë i papërcaktuar pa ballafaqimin dhe dialogimin mes palëve. Nuk jam absolutisht supersticioz, por e konsideroj sinjal fatndjellës mënyrën se si u mbyll sesioni vjeshtor 2015. Pas më se 3 muajsh u zhvillua një seancë normale plenare në sallën e Kuvendit, pa gaz lotsjellës, pa spraj e përballje të deputetëve të opozitës me kordonin e pjesëtarëve të sigurisë së Kuvendit. Seanca e 17 dhjetorit, që iu kushtua dëgjimit të fjalimit vjetor të Presidentes së Republikës, nuk u pengua nga opozita, e cila gjithsesi e bojkotoi atë. Bëri një akt kundërshtimi, brenda formatit e normave demokratike. Brenda parametrave demokratikë u zhvilluan edhe disa demonstrime qytetare të thirrura dhe të drejtuara nga opozita parlamentare.
Kam dëshiruar dhe jam përpjekur gjatë gjithë jetës time aktive t’i kontribuoj më së mirës për gjithë bashkëkombësit e mi, për gjithë qytetarët e Kosovës dhe mbi të gjitha, për ta bërë Kosovën shtet të pavarur e dinjitoz. Përkushtimi im gjithëjetësor është një detyrim ndjesor atdhetar, që mendoj dhe besoj se është i pranishëm edhe në ndërgjegjen e gjithë kolegëve të mi dhe së gjithë elitës politike shqiptare të vendit. Ditët e vitit që presim nuk duhet të kalojnë duke lënë gjurmë tymuesish e gazi lotsjellës. Ato duhet të lënë gjurmë në të mirë të vendit, të përfaqësojnë hapa në rrugën e integrimit, në strukturat euroatlantike dhe këtë rrugë do ta përshkojmë ne, ndaj ne jemi përgjegjësit për kohëzgjatjen dhe fundin e saj. Do të doja për Kosovën një vit më të mirë e më të suksesshëm. Le të jetë 2016-a vit i mirësisë, mbarësisë së qytetarëve, konsolidimit shtetëror e ndërshtetëror të republikës sonë.
Gëzuar të gjithëve festat e fundvitit!