Telegrafi

Urimi i kryeministrit për Ditën e Veteranëve të UÇK-së

Në urimin e kryeministrit thuhet se “kjo datë vjen nga kalendari i 30 dhjetorit 1991, kur Komandanti legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij me rezistencë të armatosur iu kundërvunë forcave serbe ushtarake dhe policore, duke treguar se ky vend ka dalëzotës të panënshtruar”.

“Me kalimin e kohës, nisma e kësaj rezistence u shndërrua në luftë të të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sintetizoi vullnetin kombëtar, politik dhe çlirimtar të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Sot, kur shënohet Dita e Veteranëve të UÇK-së, Kosova është shtet i lirë, i pavarur, sovran dhe ka hyrë me plot suksese në fazën e pas-mbikëqyrjes ndërkombëtare”, thuhet në telegramin e urimit të kryeministrit Thaçi.

Më tej në telegram thuhet se “mbrojtja institucionale e të gjitha kategorive shoqërore që kanë kontribuuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovë është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

“Prandaj në Qeverinë e Republikës së Kosovës është duke u punuar intensivisht që ligji për veteranët e UÇK-së të finalizohet sa më parë. Qeveria e Republikës së Kosovës, punon dhe angazhohet çdo ditë në përmbushjen e të gjitha parakushteve, që Kosova sa më parë të bëhet pjesë e të gjitha institucioneve euroatlantike”, thuhet në telegramin e urimit të kryeministrit. /Telegrafi/