Këngëtarja legjendare e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, i ka mbushur 84 vjet.
Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës dhe konsiderohet si një prej emrave kryesorë të muzikës shqipe.
Pas urimeve të shumta që ka marrë me rastin e ditëlindjes, këngëtarja ka vendosur t’i falënderojë të gjithë me anë të rrjeteve sociale.
“Përshëndetje miqtë e mi të dashur. Sot festoj 84 vjetorin e lindjes, ju falënderoj jashtëzakonisht shumë për mbështetjen si dhe dashurinë e dhuruar gjatë tërë këtyre viteve”, shkruan në një postim në Facebook.
Këngëtarja e famshëm ka zgjedhur hitin e saj më të madh, “Baresha”, që t’ia bashkëngjisë këtij postimi.
Pagarusha numëron vite të tëra të suksesshme në karrierë, ndërsa ajo vazhdon të mbetet zë i mrekullueshëm.
Artistja e emëruar tashmë me epitetin “Bilbili i Kosovës”, nuk e ka përfunduar akoma rrugën e saj të përjetshme me muzikën përkundër moshës së shtyrë, ndërsa shqiptarët vazhdojnë ta duan dhe ta respektojnë.
Muzika e saj e bëri të popullarizuar jo vetëm te shqiptarët, por edhe në ish-Jugosllavi, Bullgari, madje edhe në Izrael janë dëgjuar këngët e Nexhmijes.
Kënga “Baresha” është një prej këngëve më të popullarizuara të saj, e kompozuar nga burri i këngëtares, Rexho Mulliqi, ndërsa tekstin e ka shkruar Rifat Kukaj.
Përveç muzikës, Pagarusha ka luajtur edhe në shumë shfaqje teatrale dhe në filma.
Në Kosovë, ajo është shpallur Këngëtarja e Shekullit, ndërsa presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, në vitin 2012 e dekoroi me titullin Nderi i Kombit. /Telegrafi/