Telegrafi

Urimet e politikanëve për suksesin e Kosovës në basketboll

Triumfin e Kosovës ndaj Estonisë dhe pjesëmarrjen në kualifikimet për Kampionatin Botëror, ‘Kina 2019’, e kanë uruar edhe politikanët e vendit.

“Kosova, pjesë e ndeshjeve kualifikuese për Botërorin “Kina 2019” në basketboll. Urime lojtarëve dhe stafit të përfaqësueses për këtë sukses historik”, ka shkruar presidenti Hashim Thaçi.

“Fitore fantastike e basketbollistëve të Kosovës përballë Estonisë së fortë. Kalimi i fazës parakualifikuese për Kupën e Botës 2019, dëshmon potencialin e madh të basketbollit tonë. Pas Xhudos dhe sporteve tjera, Basketbolli po e ngrit emrin e Kosovës në majat e sportit botëror. Urime!”, ka shkruar kryeministri në detyrë, Isa Mustafa.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka shkruar: “Urime Kosovë! Një bravo e madhe për basketbollistët tanë për kualifikimin historik. E arritur fantastike. Na bëtë krenarë gjithë shqiptarëve”.

“Një lajm i mirë për shtetin tonë. Kosova bën histori duke u kualifikuar në eliminatoret e botërorit në basketboll. Rinia jonë e mrekullueshme është kjo që e bën krenar popullin. Urime”, ka shkruar kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.

“Atmosferë fenomenale në fitoren e Kosovës në basketboll. Vazhdojmë kualifikimet! Urime djema! Zemra mal!”, është postimi i kreut të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kreu i AAK-së dhe kandidati i PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj, ishte i pranishëm në palestër për ta ndjekur ndeshjen nga afër. /Telegrafi/