Telegrafi

Urimet e liderëve shtetërorë për fitoren e Kosovës ndaj Maltës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka falënderuar lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës për fitoren ndaj Maltës dhe për krenarinë që po i japin gjithë futbolldashësve.

Veseli e ka ndjekur nga afër ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ai është parë i veshur me bluzën e tifozërisë “Dardanët”.

“Kosova jonë e dashur. Faleminderit djema edhe për një tjetër natë fantastike, për gëzimin dhe krenarinë që na jepni”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Lexo po ashtu Lajmet për PËRFAQËSUESEN

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka mundur ta ndjekë gjithë ndeshjen, porse ka mundur t’i shikojë golat.

“Ndeshjen nuk e pashë, por golat po. I lumtur me fitoren e verdhekaltërve. Ngadalë, por me hapa të sigurt po e ndërtojmë një ekip fantastik, që pa asnjë dyshim do të korrë edhe shumë fitore të tjera në të ardhmen”, ka shkruar presidenti.

Kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur krenar me paraqitjen e skuadrës dhe ka uruar vazhdimin e kësaj rruge drejt Kampionatit Evropian.

“Krenar me paraqitjen shumë dinjitoze dhe fitoren e merituar kundër Maltës. Faleminderit djelmoshave të Përfaqësueses sonë për spektaklin dhe emocionet e fuqishme që na i dhuruan. Forca drejt Kampionatit Evropian!”, ka shkruar kryeministri. /Telegrafi/