Telegrafi

Urgjent themelimi i Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim

Këshilli Ekonomik i PSD-së, për mes përpilimit të një raporti ka vlerësuar se gjatë formimit të kësaj banke duhet ofruar mundësinë edhe ndonjërës prej bankave ekzistuese komerciale.

“ Nese duam që ta ndërpresim stagnimin gati 20 vjeçar të zhvillimit ekonomik, pra që nga viti 1990 kur Kosova totalisht u de-institucionalizua edhe kur bruto produkti i saj ishte ca 2,5 miliard dollarë, ndërsa në vitin 2007 e mbylli me 2.5 miliardë euro, duhet të marrin një hap urgjent, pra të formohet Banka e Kosovës për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila horizontalisht do të shtrihej në 7 qendrat e Kosovës, në kuadër të një infrastrukture të objekteve të Bankës së Kosovës të cilat tani për tani nuk janë të privatizuara, nuk janë në shfrytëzim për këtë dedikim dhe të cilat pa dyshim i plotësojnë në tërësi kushtet për kryerjen e kësaj veprimtarie”, thuhet në raportin e PSD-së.

Këshilli Ekonomik i PSD-së ka vlerësuar se Kosovës nuk i mungojnë asetet financiare, por i mungojnë organizimi dhe menaxhimi i mirëfilltë i tyre.

Përpiluesit e këtij raporti kanë thënë se formimi i kësaj banke do të mund të eliminonte shumë dobësi dhe boshllëqe të akumuluara në këtë lëmi në Kosovë. 

“Kjo bankë do të kryente edhe të gjitha punët tjera bankare nga fushëveprimi i saj. Shuma e fondeve nga këto baza sipas shënimeve aktuale është nga 1,7 deri në 2,0 miliardë euro, të cilat për fat të keq të mirëqenies së popullatës së Kosovës, në përgjithësi janë në qarkullim dhe në funksion të zhvillimit të atyre vendeve ku ato qarkullojnë pra jashtë Kosovës”, thuhet në raport./telegrafi/