Prokurorja për krime të rënda në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, Vahide Badivuku është arrestuar sot nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe krim të organizuar, raporton KTV.
Bashkë me prokuroren, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur.
Prokurorja Badivuku, sipas dyshimeve, ka marrë ryshfet për t’i liruar disa vetura të sekuestruara, në një lëndë penale të cilën ajo e kishte pasur nën hetime.
Sipas prokurorisë, Badivuku ka kërkuar ryshfet në vlerë prej 22 mijë eurosh, përmes ndërmjetësuesve dhe pas dorëzimit të shumës, si prokurore e rastit e ka përpiluar kërkesën për lirim të automjeteve.
Arrestimi i prokurores është bërë në pikën kufitare në Merdar, ku gjatë kontrollimit, në çantën e të pandehurës janë gjetur 5 mijë euro, të cilat janë pjesë e 22 mijë eurove të pranuara si ryshfet.
Kohavisioni, nga burime brenda prokurorisë, merr vesh se urdhrin për arrestimin e Badivukut e ka dhënë prokurori në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Admir Shala.