Site icon Telegrafi

Urdhri i Trumpit për ndalimin e përkohshëm të ndihmës së huaj, GAP: Në Kosovë ndikohen rreth 17 projekte aktive

Instituti GAP ka bërë të ditur se me urdhrin e presidentit amerikan Donald Trump për ndalimin e përkohshëm të ndihmës së huaj për 90 ditë, në Kosovë ndikohen rreth 17 projekte aktive të financuara nga USAID.

GAP në një postim në Facebook shkruan se këto projekte japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e vendit, ndërsa tregojnë se për cilat projekte bëhet fjalë.

Urdhri i Presidentit të SHBA për ndalimin e përkohshëm të ndihmës së huaj për 90 ditë, në Kosovë i ndikon rreth 17 projekte aktive të financuara nga USAID që japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e vendit. Disa prej tyre kanë filluar që para pandemisë dhe shumica prej tyre zbatohen nga kompani amerikane e disa më të vogla nga organizata vendore. Përfituesit kryesorë përfshijnë institucione publike si komunat, ministritë, agjencitë e pavarura, universitetet, gjykatat, e po ashtu mediat, sektorin privat dhe organizatat e shoqërisë civile”, shkruan GAP.

Lexo po ashtu Administrata e Trumpit ndalon përkohësisht ndihmat e huaja

Ndryshe, ditë më parë Administrata e presidentit, Donald Trump ka pezulluar për tre muaj pothuajse të gjitha ndihmat e huaja, ndërsa autoritetet amerikane po verifikojnë se cilat nga këto ndihma i përshtaten politikës së presidentit “Amerika e para”.

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë pothuajse 70 miliardë dollarë ndihma të huaja gjatë vitit fiskal 2023, shumica përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID.

Trump bllokoi shumicën e këtyre ndihmave në përpjekje për të verifikuar nëse ato i përshtaten politikës së tij, “Amerika e Para”. Urdhri presidencial ndalon përkohësisht ndihmat për 90 ditë derisa kryhet rishikimi. /Telegrafi/

Exit mobile version