Telegrafi

Urdhëroi bllokimin e rrugëve që qojnë në Mahahauala, për të parandaluar përhapjen e COVID-19 – kryetari i qytetit meksikan vritet nga narko-bandat

Kryetari i qytetit meksikan Mahahauala, Obed Duron Gomez, është vrarë nga narko-bandat pasi që kishte urdhëruar të bllokohen rrugët që qojnë në qytetin e tij, me qëllim të parandalohet përhapja e coronavirusit.

Gomez, i pari i qytetit Mahahauala, është vrarë derisa po udhëtonte drejt pjesë jugore të Meksikës – më saktësisht në Kintana Ro, transmeton Telegrafi.

Ai në momentin e kobshëm ishte brenda një minibusi me pasagjerë tjerë, kur disa persona që ishin në një veturë në lëvizje pranë tyre hapën zjarr.

Por edhe pse u dërgua me urgjencë në spital ku i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, ai nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.

Sulmuesit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, kurse hetuesit që kishin dalë në vendin e ngjarjes kanë gjetur 20 gëzhoja të plumbave si dhe veturën që është përdorur për sulm.

Gomez ishte kërcënuar vazhdimisht nga bandat kriminale që bëjnë shpërndarjen e drogës, pasi që nuk u kishte pëlqyer vendimi i tij të bllokojë rrugët që qojnë në qytetin Mahahauala. /Telegrafi/