Telegrafi

Urdhëresa e dëmshme për biznesin

Në reagimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Odës Ekonomike të Kosovës, kërkohet nga MTPT-ja që ta shqyrtojë urdhëresën e nxjerrë për ndalimin e qarkullimit nëpër rrugë magjistrale dhe regjionale, pasi që sipas tyre kjo urdhëresë do të pengojë në masë jashtëzakonisht të madhe afarizmin e ndërmarrjeve në Kosovë.

“Duke pasur parasysh që pjesa dërrmuese e ndërmarrjeve të Kosovës shfrytëzojnë vetëm transportin rrugor për bartjen dhe transportimin e mallrave të tyre brenda dhe jashtë Kosovës, atëherë urdhëresa e MTPT-së për ndalimin e qarkullimit të automjeteve më të rënda se 3.5 tonë, praktikisht e paralizon punën e të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë, meqë format e tjera të transportit, siç është ai hekurudhor, nuk janë të zhvilluara në atë masë sa për t’i shërbyer ndërmarrjeve Kosovare”, theksohet në reagim.

Po ashtu, Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës vlerësojnë se një ndalesë e tillë do të rëndonte shumë edhe industrinë prodhuese të Kosovës dhe do të ishte në kundërshtim me përpjekjet e Qeverisë për t’i stimuluar prodhimet vendor dhe rritjen e eksporteve. /Telegrafi/