Javën e kaluar është arrestuar shtetasi turk me inicialet U.T nga Policia e Kosovës, në qytetin e Prizrenit.
Policia kishte arrestuar qytetarin turk në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar, e me vendim të prokurorit, i njëjti ishte dërguar në mbajtje.
Në lidhje me këtë në një prononcim për Telegrafin ka folur prokurori i rastit nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Ali Rexha.
Rexha tha se me urdhër ndërkombëtar të shtetit të Turqisë, është bërë arrestimi i një personi me shtetësi turke për të cilin sipas tij prokuroria ende është duke e hetuar rastin.
Ai tha se janë në përpjeke që t’i shqiptojnë një masë të butë deri sa nuk kanë ndonjë provë relevante për personin i cili sipas tij dyshohet për dhënien e ndihmës financiare në organizatën e Lëvizjes Gylen në Kosovë.
“Jemi në përpjekje për një masë më të butë. Shteti turk ka kërkuar ekstradimin e tij, gjoja se ka ndihmuar financiarisht organizatën e Gylenit. Ne i kemi caktuar një paraburgim por jemi duke shqyrtuar një masë më të butë derisa sa nuk na vjen ndonjë provë relevante për këtë proces”, tha prokurori i rastit Ali Rexha.
Për këtë arrestim të shtetasit turk ishte raportuar edhe nga Policia e Kosovës e cila në Prizren me datën 27.10.2017-17:30 kishte arrestuar shtetarin turk në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar. /Telegrafi/