Raportin e fundit të Departamentit amerikan të shtetit e ka komentuar edhe Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit në Maqedoni, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Ajo është përqendruar në pjesën e krizës së refugjatëve duke thënë se problemi në Maqedoni nuk qëndron te korniza ekzistuese ligjore por në moszbatimin e ligjeve.
“Ne kemi ligje të mira, por ato nuk zbatohen në praktikë dhe si rrjedhojë e kësaj, nuk kemi kontroll mbi atë që po ndodh që nga paraqitja e krizës së emigrantëve. Emigrantët janë cak i trafikimit dhe mënyrave tjera të përfitimit nga persona të pandërgjegjshëm, të cilët fare nuk luftohen nga ana e institucioneve. Madje, ka raste kur edhe vetë institucionet apo individë të caktuar janë të përfshirë në tregtinë me njerëz”, ka thënë Pirovska.
Ajo ka shtuar se fenomeni me tregtinë me njerëz ka marrë përmasa shqetësuese, në veçanti pas mbylljes së kufijve, ndërsa për gjendjen, në të cilën ndodhet Maqedonia, fajëson në radhë të parë organet e sigurisë.
“Ministria e punëve të brendshme nuk po ndërmerr asgjë për të hetuar se çfarë po ndodh me këta njerëz. Në këtë ka ndikuar edhe kriza politike, e cila ka zhvendosur vëmendjen nga kriza me emigrantë, e cila ishte shumë aktuale. Këtu bën pjesë edhe informimi jo i duhur i mediave, të cilat gjithashtu janë përqendruar në raportimet rreth krizës politike”, ka përfunduar Uranija Priovska./Telegrafi/