Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për kryetar të PDK-së në Prishtinë.
Lajmin e ka bërë të ditur vet ministri Ismaili, i cili ka thënë se pas një pune të madhe lagje për lagje dhe fshat për fshat, sot edhe zyrtarisht ka dorëzuar kandidaturën për Kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë.
“Duke synuar një Prishtinë më të mirë, kam vendosur që angazhimin tim politik e partiak ta përqendroj në qytetin tim. Energjinë e Dekadës së Re synoj ta shndërroj në një forcë që e transformon marrëdhënien mes PDK-së dhe Prishtinës, që PDK-së i jep një identitet të ri, kurse Prishtinës vëmendjen që e meriton”, ka thënë Ismaili.
Më tej, ai ka shtuar se Prishtina nuk duhet të jetë vetëm kryeqytet ku përqendrohet jeta politike e Republikës, por edhe qytet i jetueshëm për qytetarët e saj.
“Përvojat tona negative me qeverisjet e kaluara le t’i përkthejmë në përpjekje të përbashkët pozitive për Prishtinën tonë! Është koha që vizioni për një Prishtinë funksionale të bëhet realitet!”, ka përfunduar ai./Telegrafi/