Telegrafi

Uragani Michael “gjunjëzon” Floridën, shtatë viktima dhe 3,7 miliardë dollarë dëme (Video)

Këto pamje tregojnë qartë shkatërrimin që ka lënë pas uragani Michael, që goditi dy ditët e fundit brigjet juglindore të Shteteve të Bashkuara.

Bilanci i viktimave ka arritur në 7, mes tyre edhe një 11-vjeçare.

Nga përllogaritjet paraprake, dëmet vetëm në Florida e Georgia arrijnë në 3.7 miliardë dollarë.

Në këto dy vende, fuqia shkatërruese e uraganit ishte më e madhe e ku erërat arritën një shpejtësi deri 250 km/orë.

Nga dëmtimet e linjave të energjisë elektrike kanë mbetur pa energji më shumë se 1.2 milionë shtëpi e biznese.

Michael ishte një prej shumë uraganeve që kanë goditur muajt e fundit Shtetet e Bashkuara, ku fuqia shkatërrimtare sa vjen e bëhet më e madhe.

Shkencëtarët e lidhin këtë me ngrohjen globale – rritja e temperaturave të ujërave detare, sipas tyre ushqen fuqinë e erërave.

Kjo është edhe arsyeja pse fenomenet e shkaktuara nga moti i keq po shkaktojnë shumë viktima në mbarë botën.