Uragani Irma preku brigjet e Floridës, në ishujt Key West, pasi u fuqizua përsëri në një stuhi të shkallës së 4, me erëra me shpejtësinë rreth 190 kilometra në orë, por që pritet të arrijnë mbi 200 kilometra në orë. 35 milionë njerëz janë paralajmëruar për rrezikun e uraganit, ngaqë priten shkatërrime në disa zona të shtetit jugor amerikan, raporton VOA.
Meteorologët thonë se Irma është stuhia më e fuqishme në 100 vitet e fundit.
Pas largimit nga Key West, uragani pritet të lëvizë drejt brigjeve perëndimore të Floridës, drejt qytetit të Shën Petersburgut.
Ndërkaq, raportet e fundit tregojnë për një të vdekur në momentet e para të goditjes së Floridës nga Irma.
Guvernatori i Florida, Rick Scott, e cilësoi Irmën si “një stuhi katastrofike që ky shtet kurrë nuk e ka parë më parë”. Ai u tha të shtunën në mbrëmje banorëve se i gjithë shteti është në gjendjen e emergjencës, duke u bërë atyre thirrje të largohen drejt zonave të evakuimit.
Guvernatori Scott përsëriti thirrjen për infermierët dhe punonjësit e emergjencave që të ofrojnë ndihmën e tyre vullnetare, shumë të nevojshme pas stuhisë.
Më tepër se 75 mijë njerëz e dëgjuan këshillën e guvernatorit dhe shkuan në rreth 400 qendra strehimi. Rreth 76 mijë banesa është njoftuar se nuk kanë energji elektrike. Ngaqë uragani e ndryshoi drejtimin nga perëndimi, banorët e qytetit të Tampës ishin të fundit që shkuan nëpër strehime, pasi më parë mendohej se stuhia atje nuk do të ndjehej shumë.
Kjo është hera e parë në rreth 100 vjet që Tampa goditet nga uragani
Pamje minutë pas minute afrohen nga mediat ndërkombëtare si CNN me VIDEO – FOTO:
https://www.youtube.com/watch?v=XtULJfghIBQ
https://www.youtube.com/watch?v=Q45U1zNKtE0
https://www.youtube.com/watch?v=Q45U1zNKtE0