Site icon Telegrafi

Uragani Idalia godet Floridën – raportohet për dy viktima dhe miliona njerëz të evakuuar – shkakton erëra shkatërruese dhe shira të rrëmbyeshëm

Uragani Idalia goditi rajonin Big Bend të Floridës të mërkurën, një stuhi “jashtëzakonisht e rrezikshme”, e vlerësuar e kategorisë tre, e cila ka detyruar miliona persona të evakuohen ose të shkojnë pranë qendrave të strehimit.

Idalia fitoi fuqi duke kaluar përmes ujërave të ngrohtë të Gjirit të Meksikës dhe shkaktoi erëra shkatërruese dhe shira të rrëmbyeshëm.

Autoritetet policore bënë të ditur se dy persona humbën jetën në dy aksidente të shkaktuara si pasojë e kushteve ekstreme të motit.

Në një aksident, në zonën Pasko, një 40 vjeçar humbi jetën pasi humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me një pemë.

Ndërsa një 59 vjeçar, në zonën Alachua vdiq pas u përplas me pemët si pasojë e shirave ekstreme.

Në 7.45 të mëngjesit me orën lokale në Florida, uragani goditi bregdetin e Keaton, në zonën e Taylorit të qytetit Tallahassse, me 13 mijë banorë. Qyteti shtrihet në qendër të rajonit të Big Bendit.

Shumica e 21 milionë banorëve të Floridës, dhe shumë në shtetet fqinje të Xhorxhias dhe Karolinës së Jugut, u paralajmëruan për uragane dhe morën njoftime të tjera të lidhura me stuhinë. Në të tri shtetet është njoftuar për gjendje të jashtëzakonshme.

Në orët e para të së mërkurës autoritetet thanë se stuhia shkoi në kategorinë tre, e më pas katër. Por, më pas fuqia e stuhisë u dobësua, duke rënë sërish në kategorinë tre.

Idalia u shndërrua nga një stuhi tropikale në një uragan të martën herët, një ditë pasi kaloi në perëndim të Kubës, ku dëmtoi shtëpitë, shkaktoi ndërprerje të energjisë, përmbyti fshatra dhe nxiti evakuime masive.

Ky ishte uragani i katërt i madh që goditi Floridën në shtatë vitet e fundit, pas uraganëve Irma në 2017, Michael në 2018 dhe Ian, i cili arriti kulmin në Kategorinë 5, shtatorin e kaluar. /voa/

Exit mobile version