Si pasojë e uraganit Dorian që ka goditur ishujt Bahamas kanë humbur jetën shtatë persona, e ky bilanc rrëqethës është kumtuar dje nga kryeministri i këtij vendi Hubert Minnis.
Ai ka deklaruar se po frikësohet se numri i viktimave mund të jetë më i madh, e sipas mediave botërore bilanci i viktimave një ditë më parë ishte pesë, transmeton Telegrafi.
Kryeministri Minnis ka thënë se bëhet fjalë “për tragjedi historike” për arkipelagun e Karaibeve që përbëhet prej rreth 700 ishujve, duke shtuar se erërat e forta dhe dallgët ishin ato që shkatërruan shumë shtëpi.
Uragani Dorian që nga dita e djeshme (e martë) ka zbritur nga kategoria e pestë në të tretin, ku erërat po lëvizin me shpejtësi prej 205 kilometra në orë, ka njoftuar instituti amerikan i meteorologjisë. /Telegrafi/