Site icon Telegrafi

“Ura e kaltër e dashurisë”, një arsye më shumë për të vizituar Prizrenin

Nuk jemi as në Paris e as në Romë, por në qytetin antik të Prizrenit. Ura, që dikur njihej si “Ura e Naletit”, që nga 2015-ta mban një epitet tjetër, “Ura e kaltër e dashurisë”, ku shumë çifte lidhin dashurinë e tyre.

Në këtë urë qytetarët dhe vizitorët e këtij qyteti mund të vendosin nga një dry si simbolikë të dashurisë së përjetshme.

E një gjë të tillë kanë vendosur ta bëjnë edhe ky qift nga Gjilani. Ajete e Vehbi Pajaziti kanë plot 30 vite që janë të martuar. Por, kjo nuk u ka penguar atyre që edhe pas kaq vitesh martesë, ta mbyllin dashurinë e tyre në dry.

Storien mund ta ndiqni nga sekuenca 2:27:00 në videon e mësipërme

“Kemi ardhur për ta shënuar 30 vjetorin e martesës dhe ta gjuajmë drynin me shpresë se kjo dashuri do të vazhdojë akoma”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Vehbi Pajaziti.

“Ka sfida martesa, por ato i kemi tejkaluar më mirëkuptim, sjellje, me respekt ndaj njëri-tjetrit”, shprehet Ajete Pajaziti, përcjell Telegrafi.

“’Ura e Kaltër e Dashurisë’ është vepër e realizuar nga artistja Doruntina Ukimeri, si pjesë e projektit ‘Aktivizimi kulturor dhe urban në Prizren’, përkrahur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Ukimeri tregon se si ka ardhur deri tek ideja për realizimin e këtij projekti.

“Historia e dryrëve dhe dashurisë ekziston para 100 vitesh në qytetin Vrnjacka Banja, ku dy të rinj janë takuar te ura e fshatit dhe vjen një moment që djali shkon në ushtri, ndërsa vajza e ka pritur gjithmonë te ura, por që ai nuk u kthye më pasi u martua me tjetërkënd e ndërsa vajza vdes prej mërzisë”, deklaroi Doruntina Ukimeri.

E për këtë projekt, Ukimeri thotë se nuk kanë munguar as kritikat.

“Ka pasur njerëz që u ka pëlqyer ideja dhe e kanë marrë me pozitivitet, por ka pasur edhe të tjerë që nuk u ka pëlqyer dhe kanë reaguar. Rrjetat që janë vendosur nuk e kanë dëmtuar urën Edhe sot e kësaj ditë nuk e dëmtojnë. Ne kemi llogaritur edhe peshën që mund të rëndojë urën, por me vullnet është tejkaluar gjithçka”, thotë më tej Doruntina Ukimeri.

Por se ndryshon mënyra e të shprehurit e kësaj ndjenje nga e kaluara në të sotmen, e thotë psikologja Antigona Qenaj – Sejdiu.

“Në vitet e mëhershme dashuria është shprehur në mënyra të ndryshme nga ajo që bëhet sot. Përpara ka qenë një letër dashurie apo një dhuratë e fshehur e dërguar përmes personave të tjerë në mënyrë të fshehur. Sot gjërat janë më të hapura dhe përdoren mënyra tjera shumë më të shpejta… Zgjedhja e kësaj forme për të shprehur dashurinë përmes një dryni të vendosur në urën e Prizrenit është një formë shumë e lezetshme, e cila ka një kuptim shumë të mirë. Emocioni i shprehjes së dashurisë në këtë mënyrë është shumë i ndryshëm”, shprehet Qenaj – Sejdiu.

Prej kohësh në këtë vend bëhen edhe foto të shumta, kryesisht të rinjve dhe çifteve, të cilat mbajnë ato si kujtim të vendit, që duan ta kenë si simbol dashurie e bashkimi./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version