U fol shumë që ura mbi lumin Ibër do të jetë funksionale nga mesi i qershorit, e më pas edhe fundi i muajit të kaluar, por edhe fillimi i korrikut e gjen Mitrovicën në po të njëjtën gjendje me një të ashtuquajtur “Park të Paqes” dhe me kufizim të lëvizjes së lirë të qytetarëve.
Asamblistët mendojnë se funksionalizimi i urës së Ibrit, do të ndihmonte lëvizjen e lirë të të dyja palëve, ku do të krijohej edhe harmoni mes qytetarëve, raporton KTV.
Agim Bahtiri, kryetar i Komunës Jugore të Mitrovicës, ka thënë se kjo në fakt do të duhej t’i takonte BE-së, pasi ashtu e kishte marrë për obligim.
KTV-ja, në komunikimet e shpeshta me zyrën e BE-së në Prishtinë, ka marrë përgjigje se kjo Zyrë ka vetëm rol lehtësues. Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, nuk e ka hapur telefonin për të mësuar se a janë takuar me homologun e tij nga jugu, ashtu siç kishin potencuar të dy për të diskutuar për këtë problem.