Ura e Ibrit dhe ajo mbi Bosfor nuk kanë të krahasuar, përpos në nivel metafore. Në gusht të vitit 2016, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e kishte përuruar urën e tretë mbi Bosfor, e cila është e gjatë 1.4 kilometra dhe e gjerë 59 metra dhe që mban emrin e një prej sulltanëve të famshëm osmanë, “Yavuz Sultan Selim”. Është kjo ura më e re dhe më e madhe nga tri urat që lidhin Turqinë evropiane me atë aziatike.
Thuhet se Sulltan Selimi i I-rë, i cili sundoi në fillim të shekullit të XVI dhe që u bë i famshëm për pushtimin e Sirisë, Irakut Verior, Palestinës dhe vet Egjiptit, kur u kthye në Stamboll nga ekspedita e tij e famshme hyri në pallatin e tij natën me vetëm një grup besnikësh dhe mbi një barkë. Sulltani modest po ikte nga festa për nder të tij.
Ofensiva ekonomike turke ishte impresive sidomos në fillim të shekullit XXI. Bruto prodhimi nacional u shumëfishua dhe bashkëpunimi me vendet e rajonit filloi të lulëzoi, sidomos me formulën që e plasonte ish-kryeministri dhe ministri i jashtëm i njohur edhe si ideolog i neo-osmanizmit, Ahmet Davutoglu, i cili promovonte paqe me të gjithë fqinjët dhe hapje ndaj të gjithëve. “Zero armiqësi me fqinjët”, thoshte ai.
Deklaratat provokuese në Prishtinë, Sarajevë e gjetiu për kulturën dhe historinë e përbashkët dhe rolin çlirimtar të sulltanëve, tregonin rrugën e shtruar kulturore dhe politike drejt Sarajevës dhe viseve shqiptare, dhe kjo shumë shpejt filloi të shoqërohej me projekte tjera infrastrukturore që e thellonin bashkëpunimin dhe komunikimin me popujt dhe vendet të cilat dikur ishin pjesë e Perandorisë Osmane – për shekuj të tërë. Klasa politike në Sarajevë, Tiranë, Prishtinë dhe Shkup ra shumë shpejtë nën ndikimin e kësaj energjie të re që po shpërthente nga bumi ekonomik turk dhe për shkak të rolit të rëndësishëm të Turqisë në NATO, çka e bënte atë ndërmjetësuese të besueshme në (mos)marrëveshjet mes popujve të Ballkanit, sidomos rreth Bosnjës dhe Kosovës.
Urat dhe krejt infrastruktura e ngritur për të lidhur kontinentet, për të lidhur Ballkanin me Turqinë, sidomos autostradat dhe mega-projekti turk i gazit që synonte të zëvendësojë trasën bullgare dhe rumune të projektit rus “Rrjedha jugore”, u bënë simbol i frymës së re, i një Turqie që ofronte diçka për të gjithë. Ballkani u mbush me shkolla turke, u rinovuan gati të gjitha xhamitë nga epoka e lavdishme e perandorisë, sidomos në Kosovë, Shqipëri, Bosnje, Sanxhak, Maqedoni, dhe krejt kjo pastaj rezultoi me blerjen apo marrjen me koncesion të infrastrukturës ajrore, energjetike, telekomunikimit, bankat etj.
Por, modestia sot nuk është në modë. As urat nuk kanë karakter veç ekonomik. Se sa simbolika e urave është shndërruar në ideologji viteve të fundit, mund të shihet edhe nga emrat e tyre. Ura e parë mbi Bosfor, e përuruar më 1973, në vitin 2016 e mori emrin e ri, “Ura e martirëve”, në përkujtim të vrarëve në puçin e dështuar kundër presidentit aktual turk Erdogan. Presidenti, ambiciet e të cilit që nga koha e ardhjes në pushtet duket se ngjajnë shumë me ato të sulltanit të famshëm Selim, për puçin, e akuzoi armikun e jashtëm dhe atë të brendshëm, madje arrestoi me dhjetëra mijëra kuadro të larta në të gjitha nivelet dhe segmentet e shtetit, përfshirë ushtarakë, gjyqtarë, policë, intelektualë. Numri i të larguarve nga puna dhe nga vendi nuk dihet saktë.
Derisa urat në mes popujve të Ballkanit ende dergjeshin të parenovuara ose të bllokuara, sikur ajo në Ibër të Mitrovicës, fijet e panumërta infrastrukturore , ekonomike, politike, kulturore të Turqisë, po e qëndisnin hartën e re politike të rajonit. Sa ka simbolikë në ndërrimin e emrit të urës më të vjetër që e lidh Turqinë me Evropën, ku ajo mori emrin “Ura e martirëve”, dhe sa politika e re që pasoi puçin e përgatitur dhe të dështuar ndaj presidentit Erdogan, u dha tjetër karakter urave që lidhin Evropën me Azinë? Pengesat në këto mrekulli të arkitekturës nuk janë fizike, sikur dikur në urën e Ibrit në Mitrovicë, por janë barrikada edhe më të mëdha politike, e madje edhe ekonomike e kulturore të cilat sapo kanë filluar të shihen me një intensitet të fuqishëm dhe dimension tjetër. Edhe pse presidenti Erdogan kohëve të fundit po shpërndante para në Serbi dhe Bosnje, po përmenden mega-projekte si rruga Beograd- Sarajevë, duket se dashuria e vjetër Beograd-Ankara përpos që ka shqetësuar disa kryeqytete në Ballkan, nuk do të mjaftojë që të garantojë ritmin e njëjtë të rritjes ekonomike dhe standardit të qytetarëve. Ajo më tepër përfaqëson rreshtimin antiperëndimor turk, në boshtin e krijuar rreth Sirisë, por edhe gjithë trasës së dëshiruar të gazsjellësit që do të lidhte burimet e naftës në Lindjen e Afërt, me Evropën, e cila pas krizës në Ukrainë, për boshtin ka marrë karakter jetik.
Pyetjet se prej nga i merr Erdogani paratë që ua premton Serbisë dhe Bosnjës, në kohën kur shenjat e krizës ekonomike dhe sociale janë bërë më se të dukshme në Turqi, është vështirë të thuhet me siguri në kohën kur mijëra biznesmenë, milionerë, tashmë e kanë lëshuar vendin që nga koha e puçit të dështuar. Shifra prej më se 1,500 milionerësh që kanë ikur nga vendi, siç përmendet në qarqet diplomatike, duket se ka lënë shenja në rritjen ekonomike.
Disa mendojnë se këto para vijnë nga boshti Moskë-Teheran-Ankara dhe se janë një formë e mbuluar e investimeve ruse në Serbi dhe Bosnje, duke u ikur kështu sanksioneve ndaj Rusisë, por mund të jenë edhe prekje në rezervat strategjike për të vazhduar ndërtimin e infrastrukturës neo-otomane . Gjithsesi, për një vend që gjithnjë e më tepër po mbyllet në barrikada dhe i cili prej formulës “zero armiqësi me fqinjët” po e bën të kundërtën, mund të pritet të jetë edhe nxitës i spekulimeve të llojllojshme, por ndalja e rritës ekonomike turke duket se ka shqetësuar shumë kë.
Neve dashuri dhe xhamia, ndërsa Serbisë miliarda investime ekonomike, ankohen boshnjakët dhe shqiptarët në rajon ndaj “ndihmës” turke. Një pjesë e elitës politike shqiptare , e ndodhur në mes të furtunës që po prodhojnë marrëdhëniet e tendosura të Turqisë me Perëndimin, tashmë po këndellet dhe po jep deklarata lojaliteti ndaj Perëndimit, vend e pa vend.
Por, jo të gjithë. A do të prodhojë pasojë sociale, ekonomike dhe politike edhe ndër shqiptarët orientimi i ri gjeopolitik i Turqisë? A i ka kapur miti turk “thellësitë strategjike” ndër shqiptarët?
Derisa po e debatonim këtë temë, një intelektual i njohur kosovar, dikur ateist agresiv, më tha: “Falëm, se po bëjë iftar…!”