Telegrafi

UPZ-ja bën shkelje ligji në pagesa, në menaxhim dhe në prokurim

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren gjatë vitit të kaluar ka manifestuar mangësi sa u përket pagave dhe mëditjeve të stafit akademik, pastaj dobësi në menaxhimin e personelit administrativ, si edhe dobësi sistematike në prokurim.

Ndërkohë as planifikimi e realizimi i buxhetit nuk është shquar për saktësi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Këto përfundime i ka nxjerrë Auditori i Përgjithshëm në raportin e auditimit të pasqyrave financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2015, ku Universiteti i Prizrenit funksionon si nënprogram buxhetor i këtij dikasteri qeveritar.

Auditori ka bërë të ditur se UPZ-ja ka marrë vendimin për ndarje të bursave, pa pasur buxhet të mjaftueshëm.

“UP-ja ka dhënë bursa në vlerë 90 mijë euro, ndërsa buxheti ishte 10 mijë euro”, shkruan në raport, ku shtohet se vendimmarrja e tillë krijon obligime në kundërshtim me limitet e buxhetit.

Sipas raportit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), marrja e vendimeve për dhënie të bursave pa pasur buxhet të mjaftueshëm mund të shkaktojë pakënaqësi te studentët, por edhe universitetin ta vërë në vështirësi buxhetore.

Prandaj ka rekomanduar se ministri duhet të sigurojë që performanca buxhetore të monitorohet në mënyrë sistematike.