Site icon Telegrafi

UP-ja dhe thëniet kenediane në sytë e ‘’të jashtmit’’

Fillimisht, të më falni nëse ia kam huq me të madhe diku, sepse nganjëherë është e vështirë të gjykosh nëse nuk je në vendin e ngjarjes. E, unë fatkeqësisht nuk kam mundësi t’ju bashkëngjitëm studentëve e secilit qytetar të vullnetit të mirë që tash e sa kohë kanë ngritur zërin kundër shkatërrimit të një ndër institucioneve të pakta në Kosovë që ka shërbyer dhe vazhdon të shërbej (sado i vogël çoftë ky shërbim) për dije e prodhim kuadrosh të rinj.

Por, edhe pse jo fizikisht, dita ime fillon me lajmet nga Atdheu, e sidomos tani kur zhvillimet për gjendjen në UP sa vinë e shtohen. Burimet primare të informacionit kam gazetat elektronike, miqtë e shumtë (pro dhe kundër protestës), si dhe statuset e fotografitë e shumta në rrjete sociale. Padyshim se kjo e fundit nuk mund të cilësohet si burim i saktë i informacionit, por gjithsesi të jep komoditet t’i shohësh të dy këndvështrimet e palëve të implikuara në proces.

Ndoshta keni pyetur veten se si duket panorama e zhvillimeve të fundit në UP, tek njerëzit jashtë Kosovës. Përgjigja është e thjeshtë: kaos. Në njërën anë kemi Dr. Filan Fistekun, historianin e mineraleve me bagazh superior akademik, që së bashku me tre superiorë tjerë kanë botuar punime shkencore nëntëfaqëshe, në pseudo-revista shkencore, diku në Azi. Po në të njëjtin tabor kemi Këshillin Drejtues thellësisht të politizuar, me militantë partiakë, që normalisht janë në shërbim të atyre që i kanë sjellë aty.

E mira e ka të mirën, a po? Si radhë e tretë e mbështetësve të Dr. Fistekut janë profesorët e dyshimtë, me punime e aktivitet të dyshimta akademike, shumica e asistentëve që as vetë nuk kanë ide si kanë arritur në ato pozita, dhe padyshim, studentët, ‘’kingat e skriptave’’ që shumica e tyre kanë ndërruar bile dy herë organizatën studentore derisa kanë arritur t’i njoh dikush në fakultetin e tyre përkatës.

Në taborin tjetër, taborin protestues, po ashtu kemi laramani. Kemi studentë të dalluar, të sinqertë e të përkushtuar që të marrin dije, të edukohen e të dalin të pasur në aspekt akademik pas përfundimit të studimeve. Po ashtu, kemi studentë politikanë, që këtë aktivitet e kanë marrë si një mundësi të mirë për t’u dalluar si revolucionarë e të gatshëm për sfida të mëdha, e që do t’ju shërbejë për më vonë. Këtu kemi edhe mësimdhënës, shoqëri civile, media, prindër, qytetar të thjeshtë të ndërgjegjshëm që universiteti i ndërtuar me djersë e para publike po shkatërrohet nga politika e papërgjegjshme.

Mirëpo, në tërë këtë katrahurë ekziston edhe grupi i tretë, e që është më i keqi: ato ‘’gratë e këqija’’ që e lëshojnë një fjalë edhe fshihen. Këtu padyshim se hyjnë shumica e studentëve e stafi akademik, por kryesorët janë intelektualët e gazetarët. Shajnë të tjerët, duke u mos marrë me vetën. Shajnë policinë se po ‘’sjellë’’, shajnë protestuesit se ‘’po protestojnë’’. Bile, po merren edhe me nënat e protestuesve.

Që mos ta zgjas, kam disa pika për të potencuar:

E para, nëse nuk dorëhiqet (me gjasë jo), rektori duhet të shkarkohet urgjentisht. Pak apo shumë, hajnia mbetet hajni. Kur udhëheqësi i UP-së është mashtrues, çka mund të pritet nga të tjerët.

E dyta, duhet të verifikohen të gjitha gradat akademike, nga rektori e deri te asistentët, madje edhe ata asistentët që bartin projektorët e pallton e profesorit.

E treta, secila parti politike duhet ta kuptojë që politika nuk largohet me politikë. E keqja nuk hiqet me të keqe tjetër. Për hir të gjeneratës aktuale e gjeneratave të ardhme, UP-ja duhet t’ju lihet në dorë profesionalistëve, njerëzve që do ta kryejnë punën e tyre ashtu siç duhet.

E katërta, nuk e di për çfarë arsye studentët duan të futen brenda në Rektorat! Edhe nëse Dr. Fisteku nxirret zvarrë nga aty, kjo nuk e shkarkon nga përgjegjësitë, nga posti që (ende) e ka.

E pesta, dhuna nuk çon askund. Një shtet që dhunon rininë e vet është shtet i poshtër, është shtet mosmirënjohës. Po ashtu, një rini që me qëllim shkatërron pronën publike e sulmon institucionin pa arsye është rini e pakulturuar.

E fundit, zgjidhja e problemit është në dorë të studentëve. Studentët protestues dhe ata spektatorë duhet të bashkohen. Nëse protestimi verbal kundër Rektorit qe fshihet pas Policisë nuk u pëlqen shumicës, ka shumë mënyra më efektive dhe atraktive të protestimit. Në momentin kur studentët janë të bashkuar, s’ka kush që u del para. Madje nuk u duhen as politikanët e infiltruar në protestë. As mediat e njëanshme.

Rektori është veç pikënisja. Dallaveraxhinjtë e mëdhenj e udhëheqësit e së keqes gjinden në një ndërtesë të lartë në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.

Nëse dikush mendon që po protestohet nga studentët e dobët, e ka shumë gabim. Shumica dërmuese e studentëve protestues janë student të dalluar në fakultetet e tyre përkatëse. Ata që për të përfunduar studimet trevjeçare u duhen gjashtë vite janë të ulur në ulëset e Parlamentit Studentor.

Edhe një gjë, e fundit: aman le ta heqë dikush thënien e John Kennedyt në hyrje të kampusit të Universitetit. Po dalim qesharak para botës.

Po e përmbyllë këtë opinion, edhe unë me një thënie tjetër, nga Frank Baum: “Nuk mund t’ju jap mend (tru), por mund t’ju jap diplomë”.

 

Exit mobile version