Telegrafi

UP-ja bleu letrën e diplomave tetë herë më shtrenjtë

Menaxhmenti i kaluar në Rektoratin e Prishtinës për një letër për shtypje të diplomave ka paguar 1.26 euro, e cila në treg gjendej me vetëm 0,15 euro. Me këtë çmim UP-ja kishte paguar letrën për diploma një kompanie me të cilën kishte lidhur kontratë për dy vjet.

Kompania e ka furnizuar Universitetin e Prishtinës me sasi prej 1219 risësh, (1 ris letre që përmban 20 fletë) dhe kishte përfituar mjete në vlerë prej 30.926.03 eurosh. Duke parë se të gjitha kontratat, që janë lidhur nga menaxhmenti i kaluar i UP-së, kishin shifra të fryra, tani menaxhmenti i ri që ka ardhur në Rektorat, me në krye Ramadan Zejnullahun, kanë vendosur ta rishikojnë çdo kontratë dhe të kursejnë maksimalisht në mallra dhe shërbime.

Më datën 6 mars 2015, prorektori për buxhet dhe financa në Universitetin e Prishtinës, Arbnor Pajaziti iti, po për këtë lloj letre për diploma, madje të cilësisë disa herë më të lartë, ka nënshkruar kontratë me operatorin e ri, i cili është 8.6 herë më i lirë. “Tani kompania ‘Euro Printy’, Prishtinë, do ta furnizojë Universitetin me letër për diploma. Vlera totale e kontratës është 3.034.00 euro”, ka thënë Pajaziti.

Sipas tij, me operatorin e ri çmimi për njësi mesatar për një letër diplome del se është 0.15 euro. Pajaziti ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se kontraktuesi i mëparshëm këtë lloj të letrës speciale për diploma e ka ofruar me këto kushte: 1 ris letre që përmban 20 fletë ka kushtuar 25.37 euro. Por, tash i njëjti operator pasi që ishte ndërruar menaxhmenti në Rektorat dhe i kishte skaduar kontrata, ka ofertuar sivjet ofertë, por tani me çmim mesatar të një letre për diploma prej 0.34 euro. “Në këtë mënyrë, Universiteti i Prishtinës do të paguajë për 610 risë x 20 fletë x 0.15 euro (mesatarisht) = 1.830.00 euro, nëse llogaritet sasia që nevojitet të furnizohet për një vit e jo shumën prej 15.372.00 eurosh, me ç’rast do të kursejë 13.542.00 euro”, ka thënë Pajaziti. Ai tregon se ka hasur edhe në parregullsi edhe te furnizimi me materiale zyrtare, ku përshihen letrat A4, pastaj lapsa, markerët dhe furnizime tjera për zyrë.

Pajaziti, po ashtu, tregon se po këta operatorë, të cilët kishin furnizuar me letër dhe shërbime tjera UP-në, me çmime super të larta, po kërkojnë informacione shtesë në mënyrë që të pengojnë nënshkrimet e kontratave më operatorët që kanë ofruar çmime reale. “Kemi lidhur një memorandum bashkëpunimi me SBASHK-un, që derisa të mos zgjidhet problemi i tenderimit me materialë zyrtarë brenda UP-së, ta marrim atje letrën”, ka thënë ai. Tani brenda Rektoratit është formuar një Komision i brendshëm, i cili do të merret me shqyrtimin e rregulloreve të brendshme, ku do të bëjnë disa reduktime në shpenzime.

Prorektori Pajaziti ka sqaruar se shpenzimet do të ndodhin për reprezentacione, për mbushje për telefonat mobilë për stafin menaxherial, udhëtimet jashtë vendit, derivatet e naftës. “Vetëm këtu do të kemi rreth 500 mijë euro kursime. Komisioni do të punojë në këtë drejtim dhe shpresoj se do të pajtohemi në këtë punë”, ka shtuar ai.

Vetëm gjatë vitit 2014, Rektorati për stafin menaxhues, për AKM-në (Programi për Avancim të Kualifikimit të Mësimdhënësve) , për organizatat studentore dhe për Universitetin Veror të Prishtinës i ka paguar PTK-së për mbushje të “Valës 900” shumën prej 44.405.00 eurosh.

Pajaziti ka thënë se tani janë duke e shikuar që të marrin oferta nga operatorët e telefonisë, të cilat ofrojnë minuta dhe impulse falas për biseda që do të bëheshin brenda stafit.

Përndryshe, buxheti i aprovuar për Universitetin e Prishtinës nga Ministria e Financave është 32 milionë, 26 milionë e 238 mijë e 671euro nga buxheti i Shtetit, kurse pjesa tjetër nga të hyrat vetanake është 6 milionë e 5 mijë e 510 euro. /Zëri/Telegrafi/