Telegrafi

UNMIK lëshon 36 urdhërarreste (Video)

UNMIK ka lëshuar 36 urdhërarreste ndërkombëtare në emër të Kosovës. Jan Malekzade, nga Zyra për Informim në këtë mision, përmes postës elektronike e ka konfirmuar këtë lajm për Tribuna Channel.

“Aktualisht janë 36 urdhërarreste ndërkombëtare të vlefshme nga Njësia Ndërlidhëse e INTERPOL-it në kuadër të UNMIK-ut”, ka sqaruar ai.

Por, në UNMIK nuk kanë dhënë detaje se për çfarë veprash penale janë lëshuar këto urdhërarreste dhe në çfarë periudhash kohore janë lëshuar ato.

UNMIK vazhdimisht ka pranuar kërkesa nga institucionet vendore për personat që janë të vendosur jashtë Kosovës, e të cilët janë dyshuar se kanë kryer vepra penale.

Përderisa Kosova nuk është anëtar me të drejta të plota në INTERPOL, si dhe nuk ka marrëdhënie kontraktuale me EUROPOL-in, nuk mundet që vet të lëshoj urdhërarreste ndërkombëtare.

Për këtë shkak, UNMIK-ut i kishte kërkuar mbështetje edhe Kryeprokurori i shtetit.

Por, nëse Prokuroria gjen fakte e dëshmi për krimet të kryera gjatë luftës nga forcat serbe në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar në vitin 2002 me INTERPOL-in, do të mundësojë lëshimin e tyre edhe për këto krime.

Lëndët për krime të luftës kanë qenë kompetencë ekzekutive e EULEX-it. E, ky mision që nga viti 2008, nuk i ka zgjidhur 213 raste të kësaj natyre.