Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, përkatësisht rektori Ramë Vataj në cilësi edhe të kryetarit të Senatit të Universitetit ka bërë kallëzim penal në organet e drejtësisë ndaj Defrim Gashi, Kryeinspektor në Ministri të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe ndaj Bedri Muhadri, kryesues i Këshillit Drejtues të UPZ-së për konsumimin e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.
Sipas njoftimit të Universitetit “Ukshin Hoti”, Defrim Gashi, kryeinspektor i arsimit, në kundërshtim me ligjin për Inspektoratin e arsimit ne Kosovë, ka tejkaluar kompetencat e tij, të përcaktuar qartë, duke nxjerrë vendim për anulimin e vendimit të Senatit për shkarkimin e Soner Yildirimit, nga pozita e anëtarit të KD.
Po ashtu në njoftim thuhet se Bedri Muhadri, kryesues i Këshillit Drejtues të UPZ-së, rreth të njëjtit vendim lëshon shkresë në emër të Këshillit Drejtues, duke vepruar në kundërshtim me kompetencat dhe autorizimet që i ka si kryesues i KD-së me Statut dhe Rregullore të punës.
“Këshilli Drejtues është organ kolegjial dhe kryesuesi mund t’i paraqes vetëm vendimet e organit dhe jo të lëshoj shkresa pa i konsultuar anëtarët e KD-së dhe pa u vendos në këtë organ drejtues të UPZ-së”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim thuhet se Senati i UPZ-së, në mbledhjen e fundit ka dënuar fuqishëm ndërhyrjet në UPZ nga MASHT, duke vënë në rrezik funksionimin e universitetit, duke ndaluar shpalljen e konkursit për personel akademik.
“Ky qëndrim i ministrit të MASHT është shkelje flagrante e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe autonomisë së universitetit. Organet e universitetit janë në fazën e fundit të përpilimit të kallëzimit penal edhe ndaj ministrit të MASHT”, thuhet në njoftim të Universitetit “Ukshin Hoti”. /Telegrafi/