Telegrafi

Universiteti i Tetovës shënoi 50 vjetorin e demonstratave të vitit 1968

Në nderim të sakrificës, vuajtjeve dhe rezistencës së veprimtarëve shqiptarë në vendin tonë e më gjerë, në shenjë përkujtimi për veprën patriotike të organizatorëve dhe pjesëmarrësve të demonstratave të flamurit të vitit 1968 në Tetovë, Universiteti i Tetovës në vitin jubilar, 50 – vjetorin e tyre, sot e organizoi Simpoziumin shkencor, me temë: “1968-ta, sfidë e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni”, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Historia na rrëfen se qëndresa e kombit tonë ndaj përpjekjeve të armiqve pushtues, shtypës e gjenocidal, përfshin data e vite të ndryshme. Njëra prej këtyre datave padyshim është edhe 22 dhjetori i vitit 1968, data e demonstratave të flamurit në qytetin Tetovës”, tha rektori i UT-së, Vullnet Ahmeti.

Koordinatori i këtij simpoziumi shkencor, Prof. Dr. Musa Musai, tha se ky eveniment me karakter shkencor – përkujtimor, organizohet mbi aurorën e një kontributi të një plejade njerëzish që kanë sakrifikuar për kombin shqiptar.

“Kjo plejadë zgjodhi që rehatinë personale ta zëvendësonte me brenga kolektive, të kalojë nga synimi i të jetuarit për familjet e tyre drejt një jetese për familjen e quajtur komb; ndaj dhe ne sot, ajo që më së paku mund të bëjmë është që ta kujtojmë veprën madhore të asaj gjenerate e cila ngriti shëmbëlltyrën e demonstrimit”, tha Musa Musai./Telegrafi/