Përmes një njoftimi dërguar Telegrafit Maqedoni, Universiteti i Tetovës bën të ditur se ”nuk i mbyll studimet e disperzuara, procesi mësimor zhvillohet sipas kritereve ligjore.”
Në njoftimin e UT-së, mes tjerash thuhet se ”transferimi i studentëve të programeve studimore të studimeve të disperzuara, në fakultetet amë realizohet në përputhje me kushtet dhe kriteret ligjore dhe sipas Konkursit për regjistrimin e studenteve në Universitetin e Tetovës.
Në konkurs theksohet se, në studimet e disperzuara, programet studimore që nuk e plotësojnë numrin e nevojshëm prej 20 studentësh për të formuar grupin, të njëjtat programe studimore barten në fakultetet amë në Tetovë.
Vlen të theksohet se, Këshilli i Rektoratit me qëllim që të ofrojë zgjidhje për këtë problematikë, numrin e studentëve për formimin e grupeve prej 20 e ka ulur në 15, dhe kjo masë lehtësuese do të aplikohet për të gjitha studimet e disperzuara.
E njoftojmë mbarë opinionin se procesi arsimor në studimet e disperzuara zhvillohet normalisht, gjithnjë duke i respektuar kushtet dhe kriteret ligjore të arsimit të lartë në vendin tonë.”(sic)/Telegrafi/