Site icon Telegrafi

Universiteti i Tetovës ndau bursa për ekselentët e ciklit të dytë

Në Universitetin e Tetovës, sot u ndanë bursat për ekslentët e studimeve të ciklit të dytë.

Certifikatat me vendimet për lirim nga participimi, studentëve ua ndau Rektori i Universitetit të Tetovës, rektori i UT, Vullnet Ameti. Ai u shpreh se vendimi i Senatit të Universitetit të Tetovës, në vitin 2013, për lirim nga participimi të disa kategorive të studentëve, mes të cilëve dhe studentët me sukses të lartë, ka qenë një vendim i mbarë, i drejtë dhe tejet motivues për të gjithë studentët e dalluar, që u janë përkushtuar edhe më shumë studimeve të tyre, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Unë, në emrin tim, të bashkëpunëtorëve dhe të drejtuesve tjerë të Universitetit, dua t’u përgëzoj për punën, mundin dhe përkushtimin tuaj që keni dhënë gjatë studimeve. Mes jush ka studentë nga njësi të ndryshme akademike të Universitetit tonë. Ju jeni këtu falë suksesit tuaj që keni treguar me njohuritë dhe dijet e përfituara nga studimet. Nuk ka ndjenjë më të bukur për ne si drejtues të Universitetit, që sot t’ua ndajmë certifikatat për lirim nga participimi. Uroj që të vazhdoni kështu duke e mbajtur ritmin e njëjtë dhe në të ardhmen të ngriheni sa më shumë profesionalisht në karrierë, çdo arritje dhe sukses i juaji do ta nderojë edhe Universitetin e Tetovës, si institucioni prej ku edhe jeni formuar profesionalisht”, tha mes tjerash rektori i UT-së, Vullnet Ameti.

Për suksesin e treguar gjatë studimeve, por edhe për rezultatet pozitive që kanë treguar gjatë intervistave, bursistët i uroi edhe prorektori për Arsim i Universitetit tonë, Reshat Qaili. Sipas tij, vet përgatitja e mirë profesionale e studentëve flet për rolin dhe rëndësinë që luan Universiteti i Tetovës në edukimin, arsimimin dhe emancipimin e gjeneratave të shumta ndër vite.

Studentët bursistë shprehën fjalë miradije në shenjë mirënjohje ndaj drejtuesve të Universitetit të Tetovës, për konsideratën e treguar ndaj punës dhe suksesit të çdo studenti me notë mesatare të lartë.

Përveç bursave të studentëve të ciklit të dytë, Universiteti i Tetovës, më 1 nëntor ndau edhe rreth 100 bursa për studentët e ciklit të parë të studimeve./Telegrafi/

Exit mobile version