Site icon Telegrafi

Universiteti i Tetovës kërkon që Dita e Alfabetit Shqip të shpallet festë shtetërore edhe në Shqipëri dhe Kosovë

Senati i Universitetit të Tetovës, në mbledhjen e mbajtur më 27 shkurt të vitit 2023, e ka miratuar njëzëri Propozimin që 22 Nëntori – Dita e Alfabetit Shqip, të shpallet festë shtetërore edhe në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës.

Pas miratimit të propozimit, Universiteti i Tetovës përmes një kërkese zyrtare u është drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë (Presidencave, Kuvendeve, Qeverive, Akademive të Shkencave dhe Arteve, si dhe ambasadave të shteteve përkatëse), që kjo datë me rëndësi kombëtare të zyrtarizohet si festë shtetërore në këto dy shtete.

Nga UT-ja thonë se në kërkesë thuhet: “Duke marrë parasysh rëndësinë kombëtare të Ditës së Alfabetit Shqip, kur në një periudhë të vështirë historike, në qytetin e Manastirit, në vitin 1908 u tubuan atdhetarët më eminentë të çështjes kombëtare nga të gjitha trojet etnike; faktin e pamohueshëm se Kongresi i Manastirit është monumenti më i madh kombëtar për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen, kongres në të cilin u vunë bazat e shkrimit shqip; se ndryshoi qasja dhe perceptimi për rëndësinë e çështjes kombëtare; rolin e tij në ruajtjen e identitetit shqiptar, pikërisht falë shkrimit të njësuar shqip; Senati i Universitetit të Tetovës ka miratuar njëzëri Propozimin që, 22 Nëntori – Dita e Alfabetit Shqip të shpallet festë shtetërore edhe në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës”.

Më tej, në kërkesën e lartpërmendur, drejtuar institucioneve dhe autoriteteve të Shqipërisë dhe të Kosovës, theksohet se “me këtë akt (shpalljen e Ditës së Alfabetit shqip – festë shtetërore) qeveritë Tuaja do të dëshmonin për një sensibilizim të gjithëmbarshëm kombëtar dhe do ta nderonin veprën e çmuar dhe kolosale të të parëve tanë, të cilët nuk e kursyen kontributin e tyre, me të vetmin qëllim që, gjeneratë pas gjenerate populli ynë t’i gëzohet një unifikimi gjuhësor dhe shkronjat shqipe të jenë të mirëvendosura në themelet tona kombëtare”.

Nga UT-ja gjithashtu thonë se propozim i njëjtë i është dërguar Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë edhe në të kaluarën, përkatësisht në muajin mars 2014, si dhe në dhjetor të vitit 2020./Telegrafi/

Exit mobile version