Universiteti Publik “Uppsala” në Suedi, ka hapur këtë të mërkurë kërkesat për pranim në kursin për mësues të shqipes si gjuhë amtare “Modersmålslärarutbildning: Albanska, 30 hp”.
Kjo falë bashkëpunimit midis Fakultetit të Mësuesisë dhe Departamentit të Gjuhëve moderne të këtij universiteti, ka bërë të ditur Ambasada e Kosovës në Suedi.
Në njoftim thuhet se kursi është i menduar si për ata që duan të bëhen mësues, ashtu edhe për ata që janë mësues, por duan të plotësojnë kushtet për punësim ose duan të përditësojnë njohuritë e veta.
“Kursi është i ndarë në gjashtë nënkurse (në tri semestra, 33% ngarkesë), të cilat zhvillohen të gjitha online, në orar të mbrëmjes”, thuhet në njoftimin për media.
Në semestrin e parë (10 kredite) studiohet “Gramatika e shqipes për mësues të gjuhës amtare” dhe “Shkolla suedeze-çfarë duhet të dijë mësuesi i gjuhës amtare”.
Në semestrin e dytë (10 kredite) studiohet “Perspektiva krahasuese (suedishtja dhe shqipja) në mësimin e gjuhës amtare” dhe ”Histori/gjeografi/kulturë shqiptare për mësues të gjuhës amtare”.
Në semestrin e tretë (10 kredite) studiohet “Didaktika e lëndës për mësues të gjuhës amtare” dhe “Letërsia shqipe për mësues të gjuhës amtare”.
“Vini re se kushtet e pranimit në kurs, përveç shqipes si gjuhë amtare, janë të njëjta si për të gjitha kurset universitare suedeze (domethënë se kërkohet suedishtja dhe anglishtja)!”, thuhet tutje. /Telegrafi/