Site icon Telegrafi

Universiteti i Prizrenit shpërfill rregullat e prokurimit

Procedurat e prokurimit publik u shpërfillën tërësisht nga Universiteti Publik i Prizrenit kur u angazhua një organ mbikëqyrës për projektin e renovimit të konviktit të këtij universiteti.

Kështu ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit  në raportin vjetor mbi Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ku përfshihen universitetet publike.

Universiteti ‘Ukshin Hoti’, kishte angazhuar një organ mbikëqyrës që kompensohet me 1 përqind të vlerës së kontratës, pa hapur procedura të prokurimit.

“Rregullat dhe udhëzuesi operativ i prokurimit publik i vitit 2016 rregullojnë që në raste të angazhimit të organit mbikëqyrës duhet të zhvillohen procedurat prokurimit. Universiteti i Prizrenit kishte angazhuar me kontratë për shërbime të veçanta një organ mbikëqyrës për projektin “Renovimi i konviktit të UPZ-së” në vlerë 370,370€, pa zhvilluar procedurat e prokurimit. Për periudhën gjashtë mujore sipas marrëveshjes organi mbikëqyrës do të kompensohet me 1% të vlerës së kontratës (3,703€).”,thuhet në raport.

Problemet me prokurim në këtë universitet i kishin kushtuar edhe studentëve duke pasur probleme me sistemin elektronik për menaxhimin e studentëve (SEMS).

Universitetit të Prizrenit  i kishte skaduar kontrata për ”Mirëmbajtja e Sistemit Elektronik të Menaxhimit të Studentëve (SEMS)” me 04.10.2017. Edhe pse ky projekt ishte i paraparë me planin e prokurimit, zyra e prokurimit nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të filluar me procedurat e duhura në prokurim në mënyrë që të përzgjidhet ndonjë operator i cili do ta mirëmbante SEMS-in.

Sipas auditorit, Situata e njëjtë pothuajse ishte edhe në Universitetin e Gjakovës i cili kishte shfrytëzuar kontratën e UPz për mirëmbajtjen e SEMS-it.

Në një kontratë tjetër me vlerë mbi 4 mijë euro, dokumente të prokurimit kishin kaluar pa nënshkrimin e zyrtarëve kompetent.

“Në projektin ’’Furnizim me tonera” për nevoja të UPz në vlerë 4,717€, vërejtum se deklarata për disponueshmëri të fondeve nuk ishte e nënshkruar nga Zyrtari Kryesor Administrativ dhe Zyrtari Kryesor Financiar. Zyra e prokurimit kishte vazhduar me aktivitetin e prokurimit dhe kishte nënshkruar kontratën.”, thuhet në raport.

Auditori ka gjetur se probleme kanë pasur edhe universitetet tjera publike.

Në vitin 2017, Universiteti i Prizrenit6, Universiteti i Gjilanit dhe Universiteti i Ferizajt nuk kishin hartuar plane strategjike.

Po ashtu, Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka” dhe Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” kishin regjistruar disa pasuri mbi 1,000€, në sistemin e e-pasuria në vend që të regjistrohen në SIMFK.

Exit mobile version