Site icon Telegrafi

Fakulteti Ekonomik dhe Juridik nuk e përfillin grevën, studentët nuk duan të humbasin afatin e provimeve (Video)

Fakulteti  Juridik dhe Ekonomik, nuk janë në grevë si të gjitha institucionet tjera arsimore në të gjitha nivelet. Por, studentët e fakulteteve tjera, thonë se nuk duan të humbasin afatin e provimeve të muajit janar.

Në korridor të Fakultetit të Filologjisë po mësojnë studentët Dionit Kabashi dhe Taulant Rexhepi për provimet e afatit të janarit, pasi që bibliotekat janë të mbyllura për shkak të grevës. Ata thonë se nuk duan t’a humbasin këtë afat  për shkak të grevës.

“Ne jemi duke mësuar në korridor sepse biblioteka dhe salla e leximit janë të mbyllura për shkak të grevës. Kjo na pamundësoi të mësojmë ku mësojnë zakonisht studentët, për këtë arsye ne erdhëm këtu, meqë kjo hapësirë është e lirë”, deklaroi për RTV Dukagjinin studenti Dionit Kabashi.

Për studentin Taulant Rexhepi, shtyrja e provimeve do të ishte edhe me e keqe se mbajtja e grevës.

“Mua greva po më dëmton sepse nuk po mund të mësoj ku mësojnë studentët nëpër biblioteka, sepse të gjithë janë në grevë. Po ashtu edhe nëse nuk i mbajmë provimet do të jetë edhe më e vështirë, sepse jemi përgatit për provime dhe nëse i shtyjnë për më vonë do të jetë më keq për ne”, shprehet studenti Taulant Rexhepi.

Mirëpo vendimi për grevë është i prerë, thotë Dorajet Imeri, Asistent – Profesor, në Fakultetin Filozofik, njëherit edhe sindikalist.

“Kemi të bëjmë me një keqtrajtim që u bëhet mësimdhënësve të nivelit universitar, pasi bëhet ulja e koeficientit të pagave të tyre. Nuk kemi kërkesë për rritje të pagave. Neve po na bëhet ulja e pagave për të kompensuar humbjet në Qeveri për shkak të stafit të madh të tyre”, deklaroi Dorajet Imeri .

Grevës i janë bashkangjitur edhe nga FSHMN-ja, Fakultetit Teknik dhe ai mjekësisë. Ndërkaq në Fakultetin Ekonomik dhe atë Juridik ka vazhduar mësimi i rregullt, studentët të cilët nuk pranuan të flasin para kamerës thanë se kishin mbajtur paraprovim dhe kollekfium./Telegrafi/

Exit mobile version