Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë vendim që të bashkohet në grevën e thirrur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).
UP-ja thotë se ky qëndrim unanim ka dalë pas takimit të zhvilluar sot në rektoratin e Universitetit të Prishtinës, ku morën pjesë menaxhmenti i lartë i Universitetit, dekanët e njësive akademike dhe përfaqësues nga SBASHK-u.
“Në këtë takim, dekanët njoftuan që si pasojë e grevës, në të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës janë pezulluar në mënyrë të tërësishme të gjitha proceset administrative dhe akademike. Situata e krijuar ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek palët brenda dhe jashtë Universitetit, të cilat kërkojnë ekzekutimin e kërkesave të tyre, në veçanti të kërkesave të adresuara në mënyrë emergjente”, thuhet në njoftimin e UP-së.
“Duke shpresuar që në një afat të shkurtër kohor do të arrihet zgjidhja e duhur për situatën e krijuar, UP apelon tek palët e përfshira që të mundësojnë daljen nga kjo bllokadë dhe të vijohet me mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe administrativ në institucionet arsimore”, theksohet në komunikatën e UP-së. /Telegrafi/