Shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit kanë marrë vendim për ndalim të menjëhershëm të testimit të ilaçit Hydroxychloroquine, pasi është vërtetuar se nuk ka pasur efekt në shërimin e coronavirusit të ri.
Në kuadër te testimeve për shërimin e coronavirusit të ri janë duke u shfrytëzuar edhe ilaçe tjera të licencuara, të cilat përdoren për probleme tjera shëndetësore.
Mirëpo pas rishikimit të të dhënave të enjten, udhëheqësit e studimit i kanë dhënë fund testimit të Hydroxychloroquine, pasi ai nuk ka pasur efekt në parandalimin e vdekjeve të pacientëve të prekur me sëmundjen Covid-19, që shkakton coronavirusi.
Hulumtuesit kanë gjetur se 25.7 për qind e pacientëve, që u është dhënë ky ilaç, kanë vdekur pas 28 ditëve, në krahasim me 23.5 për qind të pacientëve që janë trajtuar me ilaçe tjera.
Ky lajm vjen pasi një artikull i publikuar në revistën kërkimore The Lancet, që ka gjetur se Hydroxychloroquine rrit rrezikun e vdekjes te pacientët me coronavirus, është tërhequr për shkak të shqetësimeve në grumbullimin e të dhënave, shkruan REL.
Mbretëria e Bashkuar është vendi i dytë në botë, me numrin më të madh të të vdekurve, si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton coronavirusi.
Në muajin mars, këshilltari qeveritar, Patrick Vallance, pati thënë se mbajtja e numrit të vdekjeve nën 20,000 do të përbënte “rezultat të mirë”.
Përndryshe, Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga coronavirusi i ri.
Sipas të dhënave të Universtetit Johns Hopkins, 1.8 milion persona janë infektuar me këtë virus në territorin amerikan.
Prej tyre, mbi 100,000 kanë vdekur.