Mirë se vini në këtë universitet të mbipopulluar që po na shpie drejt kampeve të mbipopulluara në Francë e Hungari.
Duket konstatim i çuditshëm. Çka ka të bëjë Universiteti “Kampi i Dijes” me ato kampe?! Apo ndoshta: çfarë kanë të përbashkët ato kampe me universitetin tonë?! Nuk them se asgjë! Siç vërehet qartë, ato kampe të mbipopulluara ekzistojnë për ne, në një vend të huaj, pikërisht se nuk ekziston universiteti tek ne, në vendin tonë. Meqë ne nuk kemi universitet, kemi kampe. Rrjedhimisht, po të kishim universitet, nuk do të kishte të tilla kampe për shoqërinë tonë.
Dhe, për më keq, ky “universitet” është veçse një kamp tjetër, që rekruton të rinj me një “input” të lartë, dhe që prodhon diploma me “output” të dobët e jo cilësor.
Po përdor këta dy terma ekonomikë që në të shumtën e rasteve ato përdoren në gjuhën e tregut, si mall hyrës, lënda e parë (input) dhe mall i përpunuar që del në shitje (output). Këtë funksion kanë studentët në shoqërinë tonë. Studentët e diplomuar, “outputi”, do të jenë vegël në duart e tjetrit, si mall i ri i cili do të jetë në funksion të tregut. Sepse sot, vetë ky “universitet” është i tillë. Ky “universitet” është në shërbim të tregut.
Nëse në kohën e sistemit skllavopronar, feudal, borgjez dhe sot të kapitalizmit – neoliberalizmit aktiv, njeriu shitej, përkatësisht shitet si fuqi punëtore, sot as edhe kjo nuk është e mundshme të ndodhë në shoqërinë tonë. Ne jemi në një epokë më mbrapa se kohërat që po përmendi.
Assesi nuk do të na duhej një sistem i tillë, por nëse para më se një shekull diskutohej (gjë e cila vazhdon të diskutohet edhe sot) për shtypjen sistematike të punëtorit nga pronari, për punën me mëditje në shërbim-fitim të pronarit dhe për të tilla marrëdhënie, sot në vendin tonë ky nuk është ende hall. Sepse, ne kemi papunësi, sepse ne nuk kemi klasë punëtore.
Sot potencialisht kemi fuqi punëtore, por fatkeqësisht kjo është veçse fuqi pasive. Fuqi pa funksion, apo vetëm fuqi në funksion të pafuqisë. Pra, fuqi e cila vetëm se po shpërfaq pafuqinë e institucioneve dhe shtetit.
Përqindja e lartë e papunësisë, tregon që kemi individë në marrëdhënie pune, në të kundërtën nuk do të kishim mbi gjysmën e popullsisë të aftë për punë, e të pa punë. Dhe jo vetëm kaq…
Ne nuk kemi universitet! Universiteti u “dogj” në vitin 1999. Sot kemi kampe që bartin këtë emër, zaten vetëm që t’u lehtësohet kampeve në Hungari dhe Francë që po mbajnë brenda dyerve të tyre dhjetëra mijëra të rinj tanë të papunë. Meqë studentët nuk figurojnë si të papunë, universiteti ynë sot është në funksion të mbulimit të shifrave të papunësisë që ekzistojnë në Kosovë. Universiteti ka “evoluar”!
Në vitet e ‘90-ta të shekullit të kaluar, pushteti serb shpallte që: “S’ka universitet në Kosovë!” Në atë botë, komuniteti politik i studentëve dhe profesorëve përgjigjej: “Ne jemi Universiteti dhe universiteti është vendi më intensiv i ekzistencës politike të Kosovës, ikona e kësaj ekzistence dhe vendi i artikulimit të saj”.
Sot pushteti thotë që në Republikën e Kosovës ka universitete plotë, publike e private, por realisht ne nuk kemi universitet. Po, sot ekzistojnë kampe që mbajnë këtë emër, por në fakt ideja e universitetit është e munguar. Këtë e kemi thënë dhe do ta përsërisim vazhdimisht.
Ky “Universitet”, me gjithë sistemin burokratik që ka, cilësitë e dobëta arsimore, ushtrimin e autoritetit të “autoritetit të madh” ndaj studentëve (në mënyre që të ndjellet ndjenja e inferioritetit dhe servilitetit të tyre ndaj atyre), çdo vit nxjerr si “output” qindra, mijëra studentë të diplomuar. Studentë që studiuan për të gjetur një vend të punës, si “garanci” për ekzistencë.
Arsimimi cilësor i shoqërisë është bazë për ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit.
Historikisht, çështja kombëtare e shqiptarëve, veçanërisht në Kosovë, nuk arriti kurrë të ngrihet aq lartë përderisa mohohej e drejta e të mësuarit shqip, nga shtypësit serbë, duke mbajtur dhunshëm popullin shqiptar, si popull analfabetësh. Hapja e universitetit në Kosovë ishte faktor shtytës i angazhimit për liri, pavarësi dhe sovranitet. Vullnetit të madh të rezultuar me plot përpjekje për çlirim, guximit konsistent për t’i bërë ballë pushtetit shovinist, iu shtua dija si mjeti më i rëndësishëm për konsolidimin e politikëbërjes për arritje deri në çlirimin përfundimtar.
Mirëpo, sot politikat e mbrapshta e kanë degraduar rëndë këtë Universitet. Mbyllja e shumë fabrikave, amortizimi, shitja dhe falja e tyre, ka bërë që shteti të ngecë shumë në prodhim dhe zhvillim. Në anën tjetër, hapja e vetëm disa ndërmarrjeve të vogla e të mesme, ngufatja e vendit nga bankat e ndryshme komerciale, kanë bërë që interesimi i të rinjve për studim të fokusohet kryesisht në drejtimet ekonomike – për banka, kontabilitet, menaxhment etj.
Funksionimi i shumë fabrikave që sot ndodhen jashtë përdorimit, do të hapte perspektivë për inxhinierinë makinerike, elektrike e të ndërtimtarisë.
Pa dyshim që vetëm rivitalizimi i Trepçës do të ngjallte interesim të madh për studimin e drejtimeve si xehetaria e metalurgjia, drejtime të cilat sot janë të harruara. Universiteti është dije, e dija është zhvillim.
Ky pushtet është i përbërë nga njerëz të padijshëm dhe të pavullnetshëm për të ndërtuar politika të cilat do të ishin në favor të shoqërisë sonë. Injoranca e pushtetit ka reflektuar mbi çdo institucion të Kosovës. Ato janë degraduar dhe vazhdojnë të degradohen.
Çfarë po ndodhë me të rinjtë tanë? Nga studentë të një universiteti që është në shërbim të tregut, kthehen si punëtorë në shërbim të tregut, rrjedhimisht, një shoqëri e tërë vetëm në shërbim të tregut. Treg të cilin nuk e kontrollon shoqëria. Treg ku ndërmarrjet shoqërore nuk kanë vend. Shoqëri për treg dhe jo treg për shoqërinë.
Në situatën që jemi sot, nuk mund të rrimë më tepër indiferent. Duhet të angazhohemi për një universitet cilësor, për një shoqëri të emancipuar, për një shtet të së drejtës dhe zhvillimor dhe le ta përmbysim këtë gjendje. Ose, ka dhe një rrugë tjetër: të jetojmë në përrallat e këtij pushteti që na flet për liberalizimin e vizave dhe së bashku në autobus, rrugës për n’Hungari, të këndojmë: O gurbet, gurbeti i zi…!