Telegrafi

Unitedi ndalet në shtëpi nga Evertoni

Man Utd - Everton (Foto: Alex Livesey/Getty Images/Guliver)

Manchester Unitedi ka barazuar ndaj Evertonit me rezultat 1-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të në Ligën Premier.

Ekipi i Ole Gunnar Solskjaer nuk ka arritur fitoren e tretë me radhë në kampionat, pasi është ndalur në shtëpi nga Evertoni.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, por ishin vetëm mysafirët të cilët gjetën golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 36-të dhe ishte Victor Lindelof, i cili shënoi në portën e tij për epërsinë 0-1 të Evertonit.

Momenti i autogolit nga Lindelof (Foto: Alex Livesey/Getty Images/Guliver)

Në pjesën e dytë, Unitedi vazhdoi dominimin dhe pas disa rasteve të krijuara arriti të gjej edhe golin.

Ishte talenti anglez, Mason Greenwood, i cili pas inkuadrimit shënoi në minutën e 77-të për barazimin 1-1 dhe ky doli të jetë rezultati përfundimtar i ndeshjes.

Greenwood shënoi supergol (Foto: Alex Livesey/Getty Images/Guliver)

Pas këtij barazimi, Djajtë e Kuq kanë 25 pikë në vendin e gjashtë, ndërsa Evertoni renditet i 16-ti me 18 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Unitedi udhëton te Watfordi, ndërsa Evertoni e pret Arsenalin. /Telegrafi/