Telegrafi

United përmbys Liverpoolin

Edhe pse vendasit dominuan në pjesën e parë, pas 45 minutave rezultati ishte 1-1.

Fernando Torres kaloi mysafirët në epërsi në fillim të ndeshjes (5’), kur spanjolli e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë një krosim të Kuyt, për të mposhtur me kokë portierin Van der Sar.

Mirëpo nuk kaloi shumë kohë dhe pas një ndërhyrje të Mascheranos në Valencian u akordua penallti në favor të United.

Edhe pse goditjen e Wayne Rooneyt nga njëmbëdhjetëmetërshi e mbrojti portieri Pepe Reina, sulmuesi anglez ishte aty për të përmirësuar gabimin e tij dhe për të barazuar rezultatin (12’).

Edhe në gjysmën e dytë, ishte e njëjta skenë në Teatrin e Ëndrrave ku dominonin Djajtë e Kuq.

Pas një ore lojë, Darren Fletcher harkoi në zonë, derisa harkimit të tij iu përgjigj Ji-Sung Park, i cili shënoi me kokë golin e epërsisë dhe të fitores për United.

Pas kësaj fitoreje, Manchester United rimerr kreun e Kampionatit anglez me dy pikë më shumë se Arsenali që mban vendin e dytë dhe pesë më shumë se Chelsea që ka dy ndeshje më pak të zhvilluara. /Telegrafi/