Telegrafi

United në finale të Carling Cup

Takimi i parë i zhvilluar në Stadiumin e Qytetit të Mançesterit përfundoi me fitoren e ‘pasanikëve’ me rezultat 2-1, mirëpo në Old Trafford, Djajtë e Kuq e thanë fjalën e fundit.

Pjesa e parë e takimit përfundoi pa gola, ndërsa të katër golat u shënuan në fraksionin e dytë të lojës.

Serinë e golave e filloi veterani Paul Scholes (51’), i cili mposhti portierin Given me një goditje brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit.

Michael Carrick dyfishoi rezultatin (71’), para se Carlos Tevez të ngushtonte rezultatin në 2-1 (76’).

Ndërsa për golin që e dërgoi Unitedin në finale, u kujdes njeriu kryesor i Djajve të Kuq këtë sezon, Wayne Rooney, në minutat shtesë (90’+2), ndërsa ky ishte goli i 26 i sulmuesit anglez në të gjitha garat këtë sezon.

Në finalen e Wembleyt, Manchester United do ta ketë kundërshtar Aston Villan, që në gjysmëfinale e eliminoi Blackburn Rovers. /Telegrafi/