Manchester United dhe Liverpooli i kanë ndarë pikët në kuadër të javës së nëntë në Ligën Premier, pasi ndeshja përfundoi 1-1.
Djajtë e Kuq kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Marcus Rashford në minutën e 36-të nga asistimi fantastik i Daniel James.
Liverpooli arriti t’i barazoi shifrat në 1-1 me anë të Sadio Manes (43’), mirëpo goli u anulua nga VAR-i shkaku i lojës me dorë nga senegalezi.
Ky vendim i VAR-it e nervozoi jashtë mase Jurgen Kloppin që ankohej te gjyqtari i katërt.
Pjesa e parë përfundoi me një lojë tejet të tensionuar, ndërsa e dyta ishte me një tempo edhe më të lartë.
Unitedi e filloi pjesën e dytë edhe më mirë, duke i krijuar disa raste me anë të Fred dhe Daniel James, por që ishin të pafat.
Liverpooli me disa zëvendësime tentoi ta barazonte rezultatin dhe atë arriti ta bënte me Adam Lallan (85’) që u inkuadrua në vend të Jordan Hendersonit në minutën e 71-të.
Pas javës së nëntë, Liverpooli vazhdon të jetë lider i ligës angleze me 25 pikë, ndërsa United në të 13-in me dhjetë sosh.
Në xhiron e dhjetë, skuadra e Ole Gunnar Solskjaer do të takohet me Norwichin, ndërsa ajo e Jurgen Kloppit do të ketë punë me Tottenha Hotspurin. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=vmkSu2gc7CY
https://www.youtube.com/watch?v=4JtZ4xo2P0U