Site icon Telegrafi

Unioni i Turizmit në Kosovë: Pandemia COVID-19 ka shkaktuar dëme të mëdha në këtë sektor

Pandemia e COVID-19 ka shkaktuar dëme të mëdha në sektorin e turizmit dhe ndonëse nuk dihen shifrat e sakta, ajo mendohet të jetë disa miliona, andaj institucionet e Kosovës duhet të dalin me plan të mirëfilltë për t’i dalë në ndihmë këtij sektori të rëndësishëm për zhvillimin e vendit.

Kështu u tha në konferencë me temën “Potencialet e Turizmit Rural dhe ndikimi i pandemisë COVID-19 te sektori i turizmit në Kosovë”, organizuar nga Unioni i Turizmit të Kosovës me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Turizmit.

Kryetari i Unionit të Turizmit në Kosovë, Baki Hoti ka thënë se shkaku i pandemisë sektori i turizmit është kthyer në pikën zero.

“Pandemia COVID-19 këtë vit ka shkaktuar dëm shumë të madh në sektorin e turizmit, ju e dini se qysh nga marsi, turizmi është në pikën zero, janë ndalë të gjitha fluturimet dhe nuk ka vizitorë. Shpresoj që mos të zgjasë shumë pandemia dhe gradualisht t’i kthehemi normalitetit edhe pse ne gjithë që punojmë në turizëm e dimë se turizmi nuk rimëkëmbet për një javë ose për një muaj, e do një kohë bajagi të gjatë që të rimëkëmbet”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se vetë fakti që institucionet Kosovës nuk kanë ministri të turizmit, tregon që turizmi nuk është prioritet.

“Nuk jemi të kënaqur me punën dhe angazhimin e qeverive, qysh prej pasluftës as një qeveri deri më tash nuk e ka pasur turizmin në prioritet. Vetë fakti që Kosova nuk ka një ministri të turizmit, vetë fakti që Kosova nuk ka një organizatë nacionale të turizmit tregon që institucionet nuk prioritet turizmin, andaj nga kjo foltore, nga kjo ditë apeloj tek institucionet e Republikës së Kosovës te Qeveria, që ta marrim turizmin me një seriozitet, të kontribuojnë në turizmin se kontributi në turizëm është kontribut në ekonominë e vendit, është kontribut për punësimin e të rinjve, që Kosova ka nevojë jashtëzakonisht shumë, dhe përfitime të shumta qoftë komuniteti i biznesit, por edhe vetë te shteti”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të dalin me plan konkret për të mbështetur komunitetin e biznesit.

“Kërkohet një mbështetje institucionale se si e kanë bërë të gjitha shtetet e tjera, edhe Kosova duhet të merr model nga këto shtete. Pakoja për rimëkëmbje ekonomike ende nuk ka kaluar dhe kjo po ndikon shumë keq tek i gjithë sektori. Sektori është duke pritur që institucionet tona të dalin me një plan të qartë se cilat janë dëmet e shkaktuar nga pandemia, dhe cilat janë rekomandimet dhe mbështetja konkrete e institucioneve karshi biznesit”, ka thënë Hoti.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Nexhat Ramadani, ka thënë Ministria është duke i kushtuar vëmendje të veçanta aktiviteteve që ndërlidhen me përmirësimin e të bërit biznes. Ai tha se është i gatshëm drafti për Ligjin e ri të Turizmit, i cili pret miratimin e Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa për humbjet që janë shkaktuar nga pandemia në këtë sektor, Ramadani ka thënë se ende nuk ka të dhëna, mirëpo flitet për miliona.

“Ende nuk ekzistojnë të dhëna të sakta se sa janë dëmet e shkaktuara, por dihet se bëhet fjalë për miliona. Qeveria aktuale ka miratuar planin e rimëkëmbjes ekonomike për realizimin e secilës nevojitet miratimi i ligjit për rimëkëmbje ekonomike nga Kuvendi i Kosovës, i cili fatkeqësisht po dështon tash e tri herë për t’u miratuar. Pos masave tjera të parapara për ta ndihmuar sektorin e turizmit, pjesë e këtij plani është edhe kërkesa e kamotshme e bizneseve për uljen e TVSH-së për sektorin e hotelerisë, nga 18 në 8 për qind”, ka thënë Ramadani.

Kryetari i Unioni i Turizmit të Shqipërisë, Rrahman Kasa ka thënë se industria e turizmit është ndër më të goditurat dhe se duhet të gjendet mundësia se si t’i dilet në ndihmë kësaj industrie.

“Normalisht që kjo do një ndihmë, sepse sektori i turizmit është sektori më i goditur nga kjo. Industria e turizmit është industria që e pësoi më rëndë në kjo situatë dhe referuar edhe vendeve tjera të botës, të cilat kanë dhënë ndihma të mëdha financiare industrisë së turizmit për t’u rimëkëmbur. Ne nuk e kemi atë mundësi ekonomike qoftë Shqipëria dhe Kosova, por gjithsesi duhet të gjendet mundësia që të ndihmohet industria e turizmit, pasi nëse ndihmojmë këtë industri, do të kemi mundësi që nesër të përkthehet në të mira materiale shumë shpejt”, ka thënë Kasta.

Me këtë rast, Unioni i Turizmit të Kosovës ka nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë dhe Unionin e Turizmit të Shqipërisë, si dhe ka ndarë mirënjohje bashkëpunimi për disa akterë për nder të turizmit. /KP/

Exit mobile version