Site icon Telegrafi

Unioni i Studentëve të Kosovës: Të ngritet memoriali i studentëve të rënë gjatë luftës (Video)

Unioni i Studentëve të Kosovës i ka nisur një kërkesë Universitet të Prishtinës (UP), për ngritjen e memorialit përkujtimor në kampusin e këtij universiteti për të gjithë studentët e rënë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ndërkohë, edhe pse kërkesa nuk është trajtuar ende nga menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përfaqësues të tyre kanë thënë se përkulen para atyre studentëve dhe se kërkesa do të trajtohet në momentin e parë të mundshëm.

Kryetari i Unionit të Studentëve të Kosovës, Arben Mehmeti, tha për KosovaPress se kërkesa i është drejtuar Këshillit Drejtues dhe rektorit të UP-së, me shpresën se e njëjta do të realizohet.

“E kemi parë të arsyeshme që ta riaktualizojmë një kërkesë të kahershme të studentëve të Universitetit të Prishtinës e cila ka të bëjë pikërisht me studentët e këtij universiteti në të kaluarën të cilët e kanë dhënë një kontribut të çmueshëm, pavarësinë e Kosovës, pra bëhet fjalë për vendosjen e një memoriali përkujtimor për të gjithë ata studentë të cilët kanë rënë dëshmorë apo kanë rënë viktima të luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë Mehmeti.

“Ne dje iu kemi drejtuar Rektoratit të UP-së me një kërkesë të tillë dhe shpresojmë shumë shpejtë që do të marrim përgjigje pozitive në këtë rast sepse bëhet fjalë për studentët e UP-së, nuk besoj që do të ketë diçka problem gjatë rrugës për realizimin e kësaj kërkese pasi që hapësira është e mjaftueshme e kampusit të UP-së për të gjetur një hapësirë e cila ndoshta edhe kish me i përmbush kërkesat e këtij memoriali studentor”, ka deklaruar ai.

Përfaqësuesi i studentëve në nivel vendi, Arben Mehmeti, tregon se qëllimi i këtij memoriali është që të jetë një monument gjithëpërfshirës në nderim të ish studentëve të UP-së.

Ai tha se për një gjë të tillë do të duhej të shpallej një konkurs publik, kurse për detajet e memorialit tha se do të duhej të vendoste një Komision me njerëz specialistë të fushës.

“Pa u mbledhë një komision nuk kemi mundur të hyjmë në detaje se sa mund të kushtojë ky memorial por ne e kuptojmë që UP nuk do të mund t’i mbulojë shpenzimet e këtij memoriali por ekzistojnë rrugë tjera dhe kjo nuk është ndoshta edhe vetëm përgjegjësi e UP-së, është përgjegjësi morale e gjithë neve por edhe e gjithë institucioneve tjera të Kosovës që me punu në këtë drejtim që të realizohet kjo kërkesë”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, i pyetur se si është pritur kjo kërkesë nga vet menaxhmenti i UP-së, zëdhënësi i këtij universiteti i cili njëherësh është edhe prorektor për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se në parim UP përkulet para atyre studentëve.

Megjithatë, Hoti është shprehur se kërkesa nuk është shqyrtuar ende për shkak se rektori Marjan Dema gjendet në udhëtim jashtë vendit.

Mirëpo, Hoti ka shtuar se në momentin e parë të kompletimit të menxhmentit të UP-së një gjë e tillë do të shqyrtohet.

“Nga pikëpamja e përgjithshme ne përkulemi me pietet para studentëve tanë që e kanë dhënë jetën dhe për lirinë të cilën ne sot e gëzojmë. Mund të konfirmoj që e kemi pranuar kërkesën, e njëjta nuk është trajtuar ende për faktin se rektori gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe në momentin e parë të duhur, në mundësinë e parë ne do ta trajtojmë me seriozitetin e duhur dhe do të japim përgjigje”, është shprehur ai.

Unioni i Studentëve të Kosovës e ka paraparë që memoriali të ngritët në kampusin e UP-së, afër Bibliotekës Kombëtare.

Unioni i Studentëve të Kosovës është organi më i lartë i përfaqësimit të studentëve të të gjitha institucioneve të arsimit të larë publik e privat në vend dhe është i themeluar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Exit mobile version