Site icon Telegrafi

“UNIONI” i kallur (djegur)!

Nuk isha në Kosovë për disa ditë dhe nuk dëshirova të kem kontakte edhe se teknologjia e sotme e mundëson një gjë të tillë, u zhgënjeva në aeroport kur më informuan së “rastësisht” ishte kallur objekti i ish hotelit ”UNION”, bujtinës-kafes “Skënderbeu”, burgut famëkeq në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kafe restorantit në kohën e komunizmit, objektit pjesërisht funksional pas vitit 1999 dhe së fundit i privatizuar jo ligjërisht nga ana e njërit nga keqpërdoruesit më të mëdhenj të pasurisë së pa tundshme Kosovare ,AKM-së famoze të UNMIK-ut, me përkrahjen e një numri të vogël të bashkëpunëtorëve shqiptarë, pa të cilët ata nuk do të kishin mundësi të vepronin në mënyrë destruktive.

Nuk do të hyjë ne detalet e kalljes së objektit, nuk është kompetencë e imja, unë si pronë timen do ta kisha ruajtur po të isha pronar legjitim i saj, kjo nuk ka ngjarë nga ana e pronarit aktual si dhe institucioneve shtetërore të dy niveleve pasi objekti ishte nën mbrojtjen e shtetit të Kosovës. Deklaratat e këtyre ditëve kanë një dozë të joseriozitetit ekstrem profesional e posaçërisht deklarata e zëdhënëses së Policisë shtetërore e cila ishte denigruese dhe nënçmuese për disa mendje të pakta intelektuale tek ne.

Edhe Neroni në momentet e çmendurisë personale perandorake kishte tentuar ta kalli tërësisht Romën para shumë shekujve por kishte dështuar, sot ky është njeri nga kryeqytetet më atraktive botërore me një trashëgimi kulturore universale për admirim. Raste të ngjashme ka pa numër në historinë e njerëzimit,nuk ishte imune as Prishtina gjatë historisë së sajë,por kjo të ngjajë në qendër të kryeqytetit në shekullin XXI për disa qëllime dhe përfitime të caktuara individuale me të vërtetë nuk ka logjikë racionale konstruktive.

Mendimet e këtyre ditëve të shprehura publikisht të disa intelektualeve të respektuar shqiptar të Kosovës të bazuara në realitetin e jonë mundem t’i parafrazoi në tre citate të tyre, ato ende po më sillen në kokë këtyre ditëve, dhe më duhet t’i ri-shprehi qëndrimet e mia profesionale të publikuara në prill të vitit 2008 lidhur me këtë objekt, dmth. para një viti e sa:

• “Pushteti aktual sikur i ikën planeve dhe vizioneve të mëdha që do t’i obligonin më vonë. Më me qejf janë kur s’ka plane, por janë ata që vendosin çka është mirë dhe e dobishme. Janë si ujqit që u pëlqen mjegulla. Sa më shumë tenderë, aq më mirë. Qendra e Prishtinës është në ankand”.

• “Rrëfimin qesharak të “Hotelit Union” dhe të reagimeve rreth tij… Çfarë kuptimi ka debati i nxehtë rreth një ndërtese të shkërmoqur…, për një vend që i kërcënohet integriteti dhe sovraniteti? Kuptimi i vetëm që mund të nxirret nga kjo është zhvendosja e vëmendjes nga çështjet që vërtet kanë rëndësi. Shkërmoqje e shoqërisë. Shpëlarje truri. Relativizim i çështjeve si integriteti e sovraniteti, të cilat kur i preken botës normale, kur i preken Evropës, bëhet luftë”.

• Urbocidi i Prishtinës dhe thënia “S’u ba nami” nëse kallet një objekt.

Këto mendime provokojnë, do të ishte i domosdoshëm elaborimi-trajtimi i të njëjtit problem me një qasje diametralisht të kundërt ndaj të njëjtit objekt, kjo vetëm tregon ”rëndësinë” e trajtimit dhe keqpërdorimin e “Hotelit Union” për qellim të caktuara politike si “rrëfimi qesharak” por i tërë thelbi i filozofisë së tyre qëndron në atë se “Më me qejf janë kur s’ka plane, por janë ata që vendosin çka është mirë dhe e dobishme”.

Kjo dukuri është prezentë posaçërisht në vitet e pas luftës së vitit 1999 në Prishtinë edhe se kishte dokumente hapësinore dhe urbane edhe më para pasi ky vendbanim ekziston që moti,para shumë shekujve.

Një çështje duhet sqaruar në thelb, asnjë problem hapësinor dhe urban nuk duhet trajtuar individualisht por si një pjesë të pandarë të tërësisë urbane të kryeqytetit, si pjesë integrale e pjesës së qendrës së të cilës është edhe objekti i “Unionit të kallur” e jo të dështojnë tenderët e projektimit parcial të tre shesheve të një rruge qendrore të kryeqytetit e cila është mbyllur për komunikacion pa asnjë analizë të mirëfilltë urbane.

Edhe se nuk ka vlera të mëdha arkitektonike (eklekticizëm), në aspektin historik si objekt i trashëgimisë kulturore në vitet e nëntëdhjeta me arsye është vendosur në listën e monumenteve të mbrojtura shtetërore, si të tillë “Unionin” duhet riparuar pas kalljes pasi ashtu e kërkojnë ligjet, normat dhe standardet ndërkombëtare të cilave deshëm apo nuk deshëm jemi të obliguar të iu nënshtrohemi nëse nuk dëshirojmë të jemi të “izoluar”edhe në dhjetëra vjetët e ardhshëm të shekullit XXI, ky popull e ka provuar këtë “marifet”në shekullin e kaluar.

Kjo nuk është zhvendosja e vëmendjes nga çështjet që vërtet kanë rëndësi shtetërore pasi në esencë nëse do të respektoheshin rregullat elementare urbane të ndërlidhura në funksionimin e një qyteti, kryeqyteti si është vetëshpallur Prishtina, atëherë nuk do të kishte tendenca destruktive edhe pas kalljes “aksidentale” të objektit në të cilën personalisht dyshoj pasi ka pasur tendenca për të eliminuar atë edhe ma parë për të gjithë ata të cilët kanë përcjell ndodhitë urbane në Prishtinë në vitet e pas luftës.

E kam theksuar publikisht disa herë së është e mjerë ajo shoqëri që e vret arkitektin por as që kamë imgjinuar kalljen e një objekti për qëllime përfitimesh materiale denigruese pa menduar për pasojat shumë të rënda për tërë shoqërinë kosovare,si ngjau këtyre ditëve në Prishtinë.
Uroj që deklaratat televizive (mediatike) të datës 28 gusht të dhëna në vendin e ndodhisë lidhur me këtë objekt të ministrit kompetent si dhe të kryetarit të Komunës së Prishtinës të jenë obliguese për pronarin aktual të “Unionit” dhe të bëhen realitet !

(Autori është arkitekt i pavarur)

Exit mobile version