Pas Prishtinës, unioni global i bizneseve të diasporës ka mbajtur konferencën e radhës në Tiranë, ku u kërkua që dy qeveritë të hapin rrugën për diasporën shqiptare të cilët kanë shprehur vullnet për të investuar.
Në këtë forum marrin pjesë rreth 60 afaristë të diasporës që vijnë nga 17 shtete të ndryshme.
Sipas një komunikate për media të Ministrisë së Diasporës, në forumin i cili u organizua në Tiranë, morën pjesë edhe Ministri i Diasporës, Valon Murati dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj si përfaqësues i Qeverisë së Shqipërisë.
Ministri Murati në fjalën e tij theksoi se ky rrjet do të shihet si partner i zhvillimit ekonomik të dy vendeve.
“Ne do të mundohemi që të krijojmë ambientin e kërkuar nga afaristët për investimet e tyre në dy vendet tona, duke bartur kësisoj potencialin si profesional ashtu edhe ekonomik”, tha Murati.
Nga ana tjetër, ministri Ahmetaj, bëri me dije se pakoja ligjore për mbrojtjen e investimeve të huaja, si dhe ndryshimi i legjislacionit aktual si, ligji për partneritetin publiko privat, ligji për turizëm, ligjin për zonat ekonomike, si dhe shkurtimi i procedurave burokratike do të jenë joshja më e mirë për investitorët. /Telegrafi/