Site icon Telegrafi

Unik për Kosovën!

Ndonëse fushata politike ende s’ka të ndalur, pa marr parasysh se zgjedhjet në Kosovë kanë mbaruar dhe ato si të tilla ç’farë ishin janë certifikuar nga KQZ-ja. Tanimë Kosova ka krijuar institucionet qeverisëse te saj, në bllokun e së cilës përfshihen PDK-ja, Koalicioni për Kosovë të Re (AKR, PD, PSD, E15, etj ) Lista Ibrahim Rugova, SLS-ja, si dhe grupet tjera te partive te komuniteteve pakicë. Mirëpo jashtë këtij blloku mbetën LDK-ja, AAK-ja, VV-ja, LDD-ja, FER-i etj… Është e kuptueshme se duhet te kemi një Opozitë politike e fuqishme në mënyrë që të korrigjojë dhe të ndikojë në veprimet e qeverisë për të mirë të vendit, gjë që i kontribuon një funksionimi më të fuqishëm të jetës parlamentare dhe pluraliste të vendit. Mirëpo si të tilla të gjitha këto parti politike duhet të kenë një gjë më të rëndësishme se dallimet politike. Kjo është Kosova.
Kosova ka nevojë emergjente për një Unitet Politik, interesi i së cilës është i të gjitha subjekteve politike dhe ashtu duhet trajtuar.

Tani më siç shihet janë të pashmangshme “bisedimet” me Serbinë, ku është një sfidë mjaft e madhe për Kosovën dhe për palën negociuese. Kosovës i duhet një Unitet dhe një fuqi më e madhe politike, duke lënë anash dallimet e të qenit pozitë dhe opozitë. Pala kosovare në këtë proces të dialogimit duhet të udhëhiqet nga një “Grup i Unitetit” , përfaqësuesit e së cilit grup duhet të propozohen dhe zgjidhen përmes Parlamentit të Kosovës, së bashku me dokumentin mbështetës e që është “Rezoluta për Bisedime”.

Një barrë përsipër në këtë rrugë të përafrimit të unitetit mes subjekteve duhet ta ketë së pari Presidenti Behgjet Pacolli, barra e të cilit është ruajtja dhe kultivimi i unitetit të brendshëm të shtetit të Kosovës; më pastaj Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili duhet të luaj një rol më afrues mes gjitha grupeve politike në Parlament dhe një koordinim më të madh me presidentin e vendit dhe Ekzekutivin.

Një rol të rëndësishëm duhet të luajnë mediet e Kosovës, si ato elektronike, vizuale, të shkruara etj., të cilat duhet të kenë kujdes që të mos nxisin urrejtje mes subjekteve politike dhe gjitha grupeve tjera të interesit në Kosovë. Mediet në Kosovë duhet të kenë “prioritet” shtetin e Kosovës që t’ia kthejnë një imazh më të mirë, përkundër shumë vështirësive dhe problemeve me të cilat ballafaqohet vendi.

Çështja e emërimit të Naim Malokut si këshilltar i parë i presidentit Pacolli për çështje të sigurisë nga radhët e AAK-së (nënkryetar) dhe përfoljet që edhe Lulzim Zeneli (nga LDD-ja) mendoj se janë një tendencë e përafrimit të dallimeve mes subjekteve politike për interes të vendit (edhe pse dikush mund t’i quaj për interesa personale). Nga ky ritëm i përafrimit nuk duhet përjashtuar edhe figura tjera politike me rëndësi për procesin e Kosovës, e që mund të vijnë nga radhët e LDK-së, VV-së, etj., sepse do t’i kontribuonin më shumë sfidave me të cilat përballet Kosova në situatën çfarë gjendet tani.

Po ashtu shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së duhet të jenë më të matura në veprimet e tyre, e që duhet të jenë faktor unifikues i proceseve me të cilat ballafaqohet Kosova. Mos pranimi i Behgjet Pacollit si President nga këto shoqata me vlera të çmuara për Kosovën, nuk duhet të vënë këtë barrë përmbi vete të paragjykimeve për askënd në Kosovë. Ato duhet te shmangen nga këto “përgjegjësi” (dhe me këtë të merren institucionet përgjegjëse: Gjykatat).

Serbia dhe armiqtë tjerë tanë (miq të Serbisë) po përdorin strategjinë politike të sundimit mbi një popull dhe territor tjetër, atë të logjikës “Përçaj dhe sundo”, por nëse jemi UNIK, askush nuk mund të sundoj mbi atë që ka qenë gjithmonë e jona e që me mund dhe me gjak e fituam, atë që me djers po e ndërtojmë. Kosovën!

(Autori është magjistër i Historisë, njëherësh zyrtar për Integrime Evropiane)

Exit mobile version