Site icon Telegrafi

UNICEF hap Qendrën e Inovacionit për të rinjtë në Gjakovë

UNICEF-i dhe komuna e Gjakovës nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi për “Nismën e Komunës Mike ndaj Fëmijëve”, e cila synon që të ketë një përkushtim më të madh për realizimin e të drejtave të fëmijëve dhe përfshirjen e problemeve të tyre në agjendën komunale të politikave qeverisëse.

“Nisma e Komunës Mike Ndaj Fëmijëve” është një thirrje për gjithë-përfshirje dhe llogaridhënie ndaj fëmijëve dhe promovon vizionin se fëmijët në komunën e Gjakovës do të jenë të lumtur përderisa luajnë, mësojnë dhe rriten në një komunitet të sigurt, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Si pjesë e aktivitetit të parë në kuadër të këtij memorandumi, shefi i Zyrës së UNICEF-it, Murat Sahin, dhe kryetari i komunës Gjakovës, Ardian Gjini, përuruan Qendrën Rinore të Inovacionit, e cila synon t’iu mundësojë të rinjve ta transformojnë potencialin e tyre në një jetë të suksesshme profesionale, duke i adresuar në mënyrë konkrete sfidat ekzistuese sociale brenda komuniteteve të tyre dhe duke krijuar mundësi të reja për punësim përmes ndërmarrësisë inovative sociale.

Përmes Qendrës Rinore të Inovacionit, Laboratori i Inovacioneve i UNICEF-it është duke sjellë nismat e tij më afër të rinjve, duke arritur tek ata në komunitetet ku jetojnë për të fuqizuar integrimin gjinor në inovacion dhe ekosisteme gjithëpërfshirëse inovative.

Puna në Qendër do të përqendrohet në metoda jo tradicionale të arsimit, pas orarit të mësimit, dhe në modelimin me njeriun në qendër si mjet përmes të cilit të rinjtë do t’i testojnë idetë e tyre dhe do të marrin programim të bazuar në shkathtësi, në nivel bazik.

Ndryshe, Qendra Rinore e Inovacionit është pjesë e një projekti të financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe i zbatuar nga GWY (YMCA)./Telegrafi/

Exit mobile version