Telegrafi

UNICEF: Fëmijët e Alepos janë të traumatizuar

Të gjithë fëmijët e Alepos vuajnë nga traumat psikologjike për shkak të dhunës së përgjakshme që ka prekur këtë qytet të madh në veri të Sirisë, ku regjimi dhe rebelët kanë hyrë në një luftë të pamëshirshme, konfirmoi sot një zyrtar i UNICEF-it.

“Të gjithë fëmijët e Alepos vuajnë. Të gjithë janë të traumatizuar”, deklaroi Radoslaw Rzehak, kreu i zyrës së Fondit të Kombeve të Bashkuara për fëmijët (UNICEF) në qytetin e shkatërruar.

“Gjatë 15 viteve në organizatën e OKB-së, nuk kam parë kurrë një situatë kaq dramatike se ajo që po jetojnë sot fëmijët e Alepos”, theksoi ai.

Dhjetëra mijëra fëmijë kanë njohur që prej lindjes një prej fazave më të përgjakshme të luftës në Siri, që ka hyrë në vitin e gjashtë.

“Në Alepo, 200 000 deri 230.000 fëmijë kanë nevojë për një mbështetje psiko-sociale”, theksoi Rzehak.

Ky qytet, që ishte kryeqyteti ekonomik i vendit dhe një djep kulturor dhe arkitektural, është ndarë në dy pjesë që prej korrikut 2012. Ushtria ka arritur të marrë 85 për qind të lagjeve rebele që ndodhen në lindje të qytetit, në përfundim të një ofensive të gjerë të ndërmarrë në mes të muajit nëntor. /KP/