Telegrafi

UNICEF: Deri në vitin 2030, Kosova do të ketë më pak fëmijë në shkolla

Zyra e UNICEF-it në Kosovë dhe Rrjeti CSR Kosova kanë mbajtur një tryezë të rrumbullakët diskutimi për identifikimin e fushave të mundshme për bashkëpunim mes UNICEF-it dhe organizatave individuale të sektorit privat për realizimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në Kosovë.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it, Brandao Co, tha se të gjithë së bashku mund të ndikojnë në përmirësimin e jetës së fëmijëve dhe grave në Kosovë. Ai shtoi se UNICEF-i do të vazhdojë të ofrojë përkrahje me qëllim të fuqizimit të të rinjve dhe njëherësh u bëri thirrje bizneseve që të ndihmojnë të rinjtë.

“Siç e dini, Kosova e ka popullsinë më të re në Evropë, por kjo nuk do të vazhdojë të jetë e njëjtë përgjithmonë. Nëse i shohim dinamikën e zhvillimit të popullsisë, e shohim se edhe shtetet e tjera tani ofrojnë mundësi të mëdha. Por edhe ata, shpejt janë duke arritur këtë dinamikën e rritjes së popullsisë, prandaj është koha e duhur për Kosovën që ta shfrytëzojë këtë që e thashë. Kjo mundësi, kjo dritare nuk do të zgjasë shumë dhe ju jeni ata që keni një rol shumë të rëndësishëm si motor i zhvillimit ekonomik, dhe ju mbetet juve që ta bëni këtë të suksesshëm”, ka thënë Co.

Arian Zeka, zëvendës kryetar i Bordit të Rrjetit të CSR-së, u ka bërë thirrje bizneseve private që në planin e punës të shtojnë përmirësimin e praktikave afariste, që sipas tij, mund të kenë ndikim edhe te fëmijët.

Ai gjithashtu ftoi bizneset e tjera që të bëhen pjesë e rrjetit CSR dhe së bashku të koordinojnë aktivitete të tilla.

“Po e shoh këtë punëtori realisht si një nismë të mire të implementimit të atij memorandumi i cili do të mundësonte që gjithnjë e ma tepër bizneset ta kuptonin rëndësinë e përgjegjësisë sociale korporative, përgjegjësinë e CSR-it, të cilës ne i referohemi shkurtimisht në Kosovë. E di që shumë prej atyre që janë brena kësaj salle, tashmë bëjnë jashtëzakonisht shumë edhe në aspektin e avancimit të të drejtave të fëmijëve në Kosovë edhe të ndikimeve të tjera sociale”, ka thënë Zeka.

Ndërsa James Mugaju, zëvendëskryetar i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, bëri një prezantim në lidhje me dividendën demografike të Kosovës. Ai tha se Kosova qëndron më së miri në këtë aspekt, për shkak se ka popullsinë më të re në Evropë.

“Ne, si UNICEF në Kosovë jemi duke e përdorur për here të parë një iniciativë globale të cilën e kemi quajtur “Iniciativa Globale e UNICEF-it” dhe Kosova është një nga tri zyrat globale që është duke e testuar për here të pare këtë. Është duke u zbatuar një strategji e ndryshimit, dhe ky partneritet me CSR-në është pjesë e asaj strategjie, duke synuar që të nxjerrim më të mirën nga bizneset, të shfrytëzojmë fuqinë e bizneseve dhe tregut në të mire të fëmijëve, adoleshentëve, të rinjve”, ka thënë Mugaju.

Mugaju tregoi se, sipas një analize të UNICEF-it, deri në vitin 2030, Kosova do të ketë më pak fëmijë në shkollat fillore dhe më shumë të rinj në arsimin e lartë, ndërsa në vitin 2050, sipas analizave të tyre, Kosova do të ketë një pjesë të madhe të popullsisë në pension. Ai u bëri thirrje bizneseve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi kur Kosova ka popullsi më të re dhe të bëjnë investime. /KP/