Site icon Telegrafi

UNFPA dhe UN Women furnizojnë me pako higjienike për të mbijetuarat e dhunës, që do të vendosen në karantinë

Në Qendrën e Studentëve, aty ku tani më po qëndrojnë të karantinuarit, është vendosur që një hapësirë të ndahet veçanërisht për të mbijetuarat e dhunës në baza gjinore dhe atyre të dhunës në familje.

Gjatë të mërkurës, UNFPA dhe UN Women dorëzuan pako higjienike, rroba, çarçafë, peshqirë dhe artikuj të tjerë në objektet e përkohshme të karantinës për të mbijetuarat e dhunës në bazë gjinore dhe dhunës në familje para pranimit në strehimore.

Kështu u bë e ditur përmes një komunikate për medie, ku thuhet ndër të tjera se ”Me rritjen e dhunës në familje është e domosdoshme që shërbimet e strehimit të mbeten funksionale dhe të arritshme për të gjithë”.

Krijimi i kësaj hapësire të karantinës u bë i mundur përmes një dialogu multi-sektorial, i iniciuar nga UNFPA dhe UN Women, duke përfshirë akterë të tillë si Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia për Barazi Gjinore / Zyra e Kryeministrit.

Gjatë procesit të dorëzimit të këtyre pakove higjienike, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se sipas të dhënave më të fundit dhuna në familje po rritet gjatë këtyre kohërave të  pandemisë.

“Prandaj, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë ka siguruar një hapësirë ku të mbijetuarat e dhunes ne baza gjinore mund të banojnë. Përmes mbështetjes së UN Women dhe UNFPA, njerëzit që banojnë në këto hapësira do të kenë kushtet e nevojshme”, tha Vitia.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu shtoi se “rastet e dhunës po rriten gjatë izolimit dhe kjo është një çështje shqetësuese për Institucionet e Kosovës sot. Ndërkohë, unë bashkohem edhe me thirrjen e Ministrit Vitia që gjatë këtyre kohërave të vështira familjet dhe çiftet duhet ta duan njëri-tjetrin dhe të tregojnë respekt për njëri-tjetrin dhe fëmijët e tyre”.

Duke folur në emër të Agjencive të KB, Ulrika Richardson Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara tha se që nga dita e shpërthimit të COVID-19, familja e KB në Kosovë ka punuar krah për krah me popullatën, institucionet dhe partnerët për të zbutur ndikimin e pandemisë.

“Dimensioni gjinor i COVID-19 dhe ndikimi i tij specifik te gratë dhe fëmijët është në qendër të bashkëpunimit tonë, pasi ai duhet të jetë thelbësor për çdo plan përgjigjeje ndaj COVID-19. Një nga shqetësimet tona të mëdha është rritja e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore. Sot me mbështetje nga UN Women dhe UNFPA, strehimoret për të mbijetuarat e dhunës në familje kanë marrë shërbime thelbësore që u lejojnë atyre të jenë të arritshme dhe operacionale edhe gjatë izolimit. Falënderoj institucionet Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Drejtësisë dhe veçanërisht donatorët kryesorë të UN Women dhe UNFPA. Pa mbështetjen dhe solidaritetin e tyre, kjo nuk do të ishte e mundur”, u shpreh Richardson.

Me këtë rast, Edi Gusia Shefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore theksoi kjo strehimore e përkohshme me kapacitet për përkujdesje për 40 persona, është objekt i veçantë me kushte te sigurisë së lartë, ofron përkujdesje ushqimore, higjienike dhe asistencë institucionale.

“Kjo do të shërbej për strehim të përkohshëm për viktimat e dhunës në familje, dhe dhunës në baza gjinore, për ti kaluar pas përfundimit të karantinës ne strehimore përkatëse të financuara nga Qeveria. Ministria e Shëndetësisë e menaxhon këtë objekt sipas protokollit të saj të menaxhimit të karantinës dhe në respektim të procedurave standarde të veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje, për të ofruar siguri dhe për të mbrojtur jetën. Falënderojmë UNFPA dhe UN WOMEN për mbështetjen e ofruar dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm”, tha Gusia.

“Ndërsa numri i rasteve të DHBGJ/DHF vazhdon të rritet në mes të pandemisë, kjo mbështetje do të sigurojë që të mbijetuarat do të plotësojnë nevojat e tyre për sa i përket artikujve sanitarë dhe elementeve të tjera themelore për një jetesë të qetë gjatë procesit të tyre dyjavor të karantinës”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Në këtë aktivitet po ashtu ka marrë pjesë edhe Kryqi i Kuq i Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version